Sabina Veizaj-Në Vlorë festojnë kosovarët. Shqiptarët i drejtohen Korçës dhe fqinjëve.
Disa autobusë me shtetas kosovarë kanë mbërritur në Vlorë ditën e mërkurë për të festuar 28-29 nëntorin. Kurse agjencitë turistike në Tiranë dhe në Vlorë nuk kanë patur asnjë produkt turistik (paketë) për t’iu ofruar qytetarëve shqiptarë për t’iu afruar drejt kontekstit gjeografik të festës.

Migen Xhelo Administrator tek Travel Club Albania Vlorë (agjenci) thotë që në Vlorë punohet për turizmin kulturor si nga ana e pushtetit vendor dhe aktorëve të sektorit, megjithatë rezultati tregon të kundërtën.
“Sigurisht që “agjencitë” e Tiranës do thonë që nuk ka produkt turistik sepse nuk gjejnë dot çmimet që ata duan këtu. Vlora ka potenciale që asnjë qytet tjetër nuk i ka. Mal, dy dete; Adriatikun dhe Jonin, Lagunën e dytë më të madhe në Shqipëri ku në të cilën ndodhet dhe një “ishull” ku është Manastiri i Shën Mërisë (Zvërnecit), ka lumin, ka gadishull, ka ishull, ka monumente të natyrës dhe kulturës pafund, ka mitolgji, histori etj. Ka hotele luksi dhe të thjesht anës detit dhe jo vetëm. Hotelet e mira kanë bërë oferta; Fjetje- mbrëmje festive dhe vizitë në Muzeun e Pavarësisë, ceremoninë e pavarësisë, etj.”- thotë Migeni.
Por në fakt këto shërbime i ofrojnë vetë hotelet dhe nuk i ofrojnë si paketa tek agjencitë për t[i shitur.
Migeni e pohon që agjencitë nuk kanë shitur paketa për festat e 28-29 nëntorit që do të thotë se hotelet nuk bashkëpunojnë me to, por vënë në dispozicion mjetet e tyre të transportit dhe bëjnë guidën lokale.
Ka një problem, mendon Marjen Rama i Explorer Travel & Tours. Pasi në Shqipëri, thotë ai, patriotizmi mungon dhe vitet e fundit kjo festë është kthyer në një muaj ku njerëzit kanë 3-5 ditë pushim dhe i shfrytëzojnë këto për të bërë ndonjë udhëtim jashtë.
Agjencitë këtë po ofrojnë. “Ka mungesa në ofertë-produkt turistik për në pikat shqiptare. Problemi është më i madh se vetëm Vlora. Na kanë mbushur me oferta fqinjët; Mali i Zi dhe Maqedonia, që ofrojnë produkte shumë të leverdishme për Festën e Pavarësisë. Duke ditur që kemi disa ditë pushim, ofrojnë çmime të lira, të kapshme për të gjitha shtresat” tregon Marjeni duke sqaruar se për në Malin i Zi p.sh- një natë në hotel me mëngjes, mundësisht edhe darka e festës dhe transporti kushtojnë 59 euro. “Vlora nuk mund ta bëjë. Vlora nuk ofron asgjë. Produkt turistik kanë, por nuk dinë ta ndërtojnë dhe ta pastaj ta shesin.
Duhet të shkojnë tek konsumatori. Duhet të ndërtojnë paketën referuar produktit që kanë.“
Duke e pyetur pse Korça është në pararojë në këtë drejtim, Marjeni i Explorer Travel and Tours shpjegon se Korça ka punuar dhe gjithashtu është mbështetur shumë, si nga organizatat dhe nga qeveria.
“Në Vlorë nuk është punuar mirë. Nuk të ofrojnë njësitë akomoduese, nuk ofrojnë produkt të kompletuar. Vlora edhe në paketat klasike që ofrojnë turoperatorët e liçensuar është shumë pak e vizituar. Më shumë shkojnë në Zvërnec, një kalim të vogël në Vlorë dhe ikin.”- thotë Marjeni duke u nisur nga një vëzhgim i tij nëpër Shqipëri tek përgatiste paketat për agjnicinë e tij.
Kliton Gërxhani i shoqatës Albanian Tour Operators Assosiation (ATOA) mendon se Vlora ka produkt turistik, por dominon turizmi i plazhit, dhe pastaj diçka më pak ai i kulturës.
“Korça është kthyer në destinacion më të rëndësishëm për periudhën e dimrit, sepse lidhet kryesisht me dëborën dhe klimën. Me fjalë të tjera Korça fillon të zgjohet dhe të lëvizë në dimër kurse Vlora në verë sepse potenciali i tyre turistik është në maksimum respektivisht në ato stinë. Kurse destinacionet jashtë shtetit vazhdojnë të ngelen konkurruese për turizmin shqiptar, jo vetëm gjatë festave dhe dimrit por edhe gjate verës.”- mendon Klitoni.
Kreu i ATOA beson se, edhe pse nuk është një destinacion tipik dimëror, Vlora ka shumë potencial turistik të pashfrytëzuar për të cilin mund të bëjmë të gjithë më shumë.
Edhe Korça megjithatë për festat e 28-29 nëntorit nuk ka pasur paketa turistike. Njëjtë si Vlora, hotelet në Korçë si përherë edhe për festat patriotike kanë funksionuar me prenotime.
Niko, i hotel Rexhensi që pozicionohet në qendër të qytetit të Korçës, tha për gazetën “Si” se “nuk kemi paketa për festat. Njerëzit marrin në telefon. Ne interesohemi për sallë vallëzimi e për muzikë live në darkën e festave. Klientët vijnë me makinat e tyre dhe klientët tanë nuk kërkojnë gjë tjetër.”

Hotel Rexhesi për datën 28 ishte tërësisht i prenotuar, ndërsa për 29 ka disa dhoma të lira. Çmimi që ofron hoteli është 3500 lekë nata për dhomë pa mëngjes dhe 4500 lekë nata për dhomë me mëngjes.
Sipas Nikos këto çmime pak më pak apo pak më shumë varionë ndër hotelet e Korçës. Edhe po të vëresh në Booking.com e vërteton thënien e Nikos për Korçën. Ndërsa po të kërkoje të bujtje në hotelet e Vlorës për festa, çmimet për dhomë në natë përfshirë mëngjeisn varionin nga 6000 lekë deri në 10 000 lekë.
Prandaj, ndoshta shqiptarët i drejtohen mikpritjes dhe thjeshtësisë korçare që në vetvete përpos Pazarit nuk të ofron ndonjë argëtim të madh, apo vendeve fqinje ku për një çmim konkurrues edhe argëtohen duke bërë ski e SPA dhe braktisin Vlorën e ‘shtrenjtë’ e cila përqafohet nga patriotët stoikë kosovarë që sakrifikojnë edhe me çmime shumë të kripura për ti dhënë kuptim festës së Flamurit Kuq e ZI.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





