Gazeta Si - SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dosjen ndaj Gëzim Çelës dhe 13 personave të tjerë, të akuzuar për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal.
Çela, i njohur edhe si “Baroni i drogës”, së bashku Arlind Ismailukajn, konsiderohen si drejtuesit e grupit kriminal që u goditën gjatë operacionit “Flakë në det”.
Mes të pandehurve të tjerë, janë edhe Nerim Çela, Armando Mema, Dritan Metaj, Ben Dalipaj, Besnik Brokeri, Alket Deda, Selami Lushkaj, Ksenofon Bodo, Kyrylo Ponomarenko, Kostiantyn Biellon, Armando Papa e Roland Guza, të akuzuar për “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Gëzim Çela, u arrestua më 9 dhjetor 2023 në Ferizaj të Kosovës. Ai ishte shpallur në kërkim pasi iu godit grupi teksa shkëmbente kokainë me heroinë në det në gusht 2023.
Ministria e Drejtësisë njoftoi më 27 shkurt ekstradimin nga Kosova drejt Shqipërisë të Çelës, 56 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal.
Gjatë hetimeve, është provuar se të pandehurit si pjesë e grupit të strukturuar kriminal drejtuar nga Gëzim Çelaj e Arlind Ismajlukaj, kanë marrë përsipër organizimin dhe trafikimin në sasi të mëdha të lëndëve narkotike, të paktën në dy raste, në ngjarjen e datës 31 mars 2023, ku në rrugën nacionale Tiranë-Fushë Krujë, është sekuestruar një sasi prej 41 kg lëndë narkotike e llojit heroinë, si dhe në ngjarjen e datës 14 gusht 2023, ku është tentuar që nëpërmjet detit duke përdorur mjete lundruese të trafikohen sasi të mëdha të lëndëve narkotike, i njohur si operacioni policor “Flakë në det”.
Sipas SPAK, është arritur që për secilin prej të pandehurve të provohet jo vetëm përfshirja e tyre në aktivitetin kriminal, por edhe ndarja e roleve, duke përfshirë organizatorët e veprimtarisë, kultivuesit e lëndës narkotike, magazinuesit, prodhuesit, transportuesit, si dhe drejtuesit e mjeteve lundruese.
Paralelisht me procedimin penal, ndaj të pandehurve dhe personave të lidhur me ta, ka filluar edhe procedimi me qëllim evidentimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me origjinë kriminale.
Në kuadër të procedimit pasuror, me dy vendime të mëparshme, SPAK ka vendosur sekuestrimin e pasurive si më poshtë:
Subjektin juridik XXXXX sh.p.k., i themeluar më datë 26.10.2022, me administratore dhe ortake të vetme të 100% të kuotave, shtetasen TH., me objekt aktiviteti Bar Restorant, me adresë Lezhë, Laç;
Pasuria e paluajtshme nr. 1759, Zona kadastrale 1673, objekti ku ushtron aktivitetin shoqëria e lartpërmendur;
3 Pasuri të paluajtshme me vlerë mbi 400.000 Euro, në pronësi të shtetases M.TH.,
6 Automjete të markave të ndryshme;
3 mjete lundruese tip Gomone,
Shuma monetare: 102.000 (njëqind e dy mijë) Euro, 500 (pesëqind) Paund Britanik, 50 (pesëdhjetë) Franga Zvicerane dhe afërsisht 7.000.000 (shtatë milion) Lekë, shtetasve A. I., G. Ç. dhe N. Ç.
Subjektin juridik XXXXX sh.p.k., me administrator dhe ortak të vetëm me 100% të kuotave, shtetasin G.G., si dhe të gjitha asetet e saj, si pasuri të paluajtshme, pasuri të luajtshme, llogari bankare etj, duke përfshirë këtu edhe 10 automjete të markave të ndryshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.