Fjetja në një dhomë të ekspozuar ndaj dritës artificiale të jashtme gjatë natës mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të diabetit, sipas një studimi me afro 100,000 pjesëmarrës.
Njerëzit që jetonin në zona me ndotje të lartë nga drita gjatë natës kishin rreth 28% më shumë gjasa për të zhvilluar diabet sesa njerëzit që jetonin në zonat më pak të ndotura, sipas studimit të botuar të martën në revistën Diabetologia.
Ekspertët thanë se rritja e personave me diabet mund të jetë për shkak të ndotjes nga dritat e jashtme gjatë natës, duke shtuar se numri ka të ngjarë të rritet pasi më shumë njerëz shpërngulen në qytete.
“Studimi konfirmon hulumtimet e mëparshme të efekteve të dëmshme të mundshme të dritës gjatë natës në funksionin metabolik dhe rrezikun për diabetin”, tha Phyllis Zee, pedagoge në Universitetin Northwestern në Cikago.
Ndikimi shëndetësor i dritës gjatë natës
Hulumtimet e mëparshme kanë treguar një lidhje midis dritës artificiale gjatë natës dhe shtimit të peshës dhe obezitetit, ndërprerjeve në funksionin metabolik, sekretimit të insulinës dhe zhvillimit të diabetit, dhe faktorëve të rrezikut kardiovaskular.
Një studim i publikuar në fillim të këtij viti nga Zee dhe ekipi i saj ekzaminoi rolin e dritës në gjumë për të rriturit e shëndetshëm në të 20-at e tyre. Fjetja vetëm për një natë me një dritë të zbehtë, si për shembull një televizor, rriti sheqerin në gjak dhe rrahjet e zemrës së të rinjve gjatë eksperimentit në laboratorin e gjumit.
Rritja e rrahjeve të zemrës gjatë natës është treguar në studimet e mëparshme si një faktor rreziku për sëmundjet e zemrës dhe vdekjen e hershme, ndërsa nivelet më të larta të sheqerit në gjak janë një shenjë e rezistencës ndaj insulinës, e cila përfundimisht mund të çojë në diabetin e tipit 2.
“Gjumi i shëndetshëm është jashtëzakonisht i rëndësishëm në parandalimin e zhvillimit të diabetit”, tha Gareth Nye, lektor në Universitetin e Chester në Mbretërinë e Bashkuar.
“Studimet kanë treguar se modelet e paqëndrueshme të gjumit janë lidhur me një rrezik në rritje të diabetit të tipit 2”, tha ai në një deklaratë.
Megjithatë, çdo lidhje e drejtpërdrejtë midis diabetit dhe ndotjes së dritës gjatë natës është ende e paqartë, sepse të jetuarit në një zonë urbane është në vetvete një kontribues i njohur në zhvillimin e diabetit, shpjegoi Nye.
“Është e njohur për një kohë të gjatë tani që të jetosh në një zonë të urbanizuar rrit rrezikun e obezitetit përmes rritjes së aksesit në ushqime të pasura me yndyrë dhe më pak aktivitet fizik”, shkroi Nye.
Strategjitë për reduktimin e niveleve të dritës gjatë natës përfshijnë pozicionimin e shtratit larg dritareve dhe përdorimin e perdeve që bllokojnë dritën.
Jini të vetëdijshëm për llojin e dritës që keni në dhomën tuaj të gjumit dhe ndaloni çdo dritë që mund të vijë nga pajisjet elektronike si televizorët, telefonat inteligjentë, tabletët dhe laptopët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.