Trashëgimi

Fjalori i ri i Gjuhës Shqipe/ Zhupa: Mungesë profesionalizmi. Akademia e Shkencave do thirret në dëgjesë!

Gazeta “SI”- Deputetja e Partisë Demokratike, njëherësh kryetare e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, deklaroi sot se fjalori i ri i gjuhës shqipe, i përgatitur nga Akademia e Shkencave, paraqet shqetësime serioze për mungesë profesionalizmi.

Sipas saj, “atje gjenden lehtësisht gafa, diskriminim, mospërputhje me përkufizimet e termave sipas ligjeve etj”.

“Gjuha është themeli i kulturës kombëtare. Fjalori i një gjuhe nuk është thjesht një listë fjalësh, por akt kulturor, shkencor dhe kombëtar. Pikërisht për këtë arsye, fjalori i gjuhës shqipe duhet të jetë i saktë, i përgjegjshëm dhe në përputhje me zhvillimin bashkëkohor të shoqërisë”, nënvizoi Zhupa.

Ajo theksoi se fjalori i ri, i hedhur në konsultim publik, përmban gafa dhe qëndrime që nuk mund të anashkalohen dhe që janë tejet problematike.

Zhupa bëri të ditur se do të kërkojë një seancë dëgjimore me Akademinë e Shkencave, e cila duhet të japë shpjegime profesionale lidhur me mënyrën e hartimit të këtij fjalori.

“Është interesi publik, për aq kohë sa bëhet fjalë për një fjalor zyrtar, të bërë me fonde publike dhe që përbën një element thelbësor të identitetit kombëtar. Kjo seancë dëgjimore nuk do të trajtohet aspak si politike, por si çështje kulturore dhe kombëtare. Gjuha shqipe meriton seriozitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë institucionale, si dhe një diskutim serioz”, theksoi ajo.

Gjithashtu, Zhupa solli edhe disa shembuj që, sipas saj, janë qartësisht shfaqje e një pune jo cilësore dhe problematike në shumë nivele, duke përmendur futjen e fjalës “abandonim” në fjalorin shqip-shqip apo përdorimin e fjalës “onlajn”.

Ajo ndaloi veçanërisht te, sipas saj, “përkufizimi thellësisht diskriminues i fjalëve ‘djalë’ dhe ‘vajzë’”.

“Në fjalorin e ri, ‘djalë’ përshkruhet me nota pozitive: trim, i urtë, shtyllë e shtëpisë, shpresë. Ndërsa ‘vajzë’ shoqërohet me një sërë përkufizimesh negative, fyese dhe moralisht paragjykuese”, theksoi Zhupa ndër të tjera.

Sipas saj, “fjalori nuk mund të jetë as ideologjik, as paragjykues, as i pakujdesshëm ndaj historisë gjuhësore dhe identitare. Ai formëson mendimin, edukon brezat dhe përcakton se çfarë konsiderohet ‘shqip e saktë’”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë