“Fjalori i madh i shqipes” do të dorëzohet si vepër tërësore për redaktim deri në fund të muajit gusht.
Në mbledhjen e kryesisë së redaksisë së “Fjalorit”, u vendos që, pjesët e përfunduara nga hartuesit të bashkohen si një vepër e njësuar (gjendje paraprake) në periudhën e shkurtër që mbetet. Në këtë mbledhje çështja themelore për diskutim kishte të bënte me ritmet e punës dhe përpjekjet e pjesëmarrësve në procesin përfundimtar hartues e redaktues të veprës për ta kryer atë sipas afateve të parashikuara.
U kërkua të përshpejtohen ritmet e punës në të gjitha përbërëset e saj. Hartuesit do të dorëzojnë punën e kryer deri më tash, për të mundësuar njësimin paraprak pa filluar pushimet vjetore. Kurse në fund të gushtit do të bëhet bashkimi i të gjitha shkronjave në një vepër të vetme.
Vepra e përfunduar nga hartuesit dhe e redaktuar nga editorët me redaktim të fundmë nga kryeredaktori e dy zëvendëskryeredaktorët, kërkon të kryhen edhe disa procese pune shtesë.
Njësimi i trajtimit leksikografik është kërkesë themelore për cilësinë shkencore të “Fjalorit”. Kryetarët e grupeve të hartuesve-redaktorë do të zgjidhin problemet e kësaj faze përmbyllëse, sidomos kompaktësimin e lëndës, homogjenizimin kriterial dhe formal, redaktimin shkencor, gjuhësor e teknik.
U vërejt se numri i faqeve do të jetë mbi parashikimin, duke arritur në jo më pak se 8 mijë faqe. (ATA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.