Bota

Fjalimi i parë i Merz si kancelar i Gjermanisë: Do të ndërtojmë ushtrinë më të fortë në Europë

Një javë pas marrjes së detyrës si Kancelar, Friedrich Merz premtoi se ushtria gjermane do të bëhet ushtria më e fortë në Evropë.

“Që tani e tutje, qeveria gjermane do të sigurojë të gjitha burimet financiare që i nevojiten Bundesëehr-it për t’u bërë ushtria më e fortë në Evropë”, theksoi ai, duke thënë se kjo është ajo që kërkojnë partnerët e Berlinit në BE dhe NATO.

Merz vuri theksin te ekonomia dhe politika e jashtme, duke premtuar “përmirësim të dukshëm” për qytetarët deri në verë, ndërsa shprehu mbështetjen e tij për Ukrainën dhe Izraelin.

Në të njëjtën kohë, ai e vlerësoi punën e paraardhësit të tij, Olaf Scholz.

Duke iu referuar recesionit të vazhdueshëm të ekonomisë gjermane, kancelari gjerman foli për një “krizë ekonomike të paparë” që prek vendin, duke vënë në dukje se “kurrë në të kaluarën nuk kemi përjetuar një mungesë kaq të zgjatur të rritjes ekonomike”.

Siç theksoi ai, efektet janë të dukshme në punësim, madje edhe në sektorë strategjikë, siç janë industria e automobilave, prodhimi i kimikateve dhe makinerive të mëdha.

Ai mbrojti vendimin për të hequr “frenin e borxhit” dhe për të miratuar “kredi të mëdha”, duke theksuar se këto do të drejtohen drejt investimeve në infrastrukturë, rrugë, hekurudha, arsim dhe kërkim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë