Nga Gazeta ‘Si’- Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka reaguar pasi presidentja e re, Gordana Siljanovska Davkova gjatë betimit të saj përdori emrin “Maqedonia” dhe e shmangu fjalën “e veriut” në emrin e shtetit, ashtu siç kishte paralajmëruar gjatë fushatës së saj.
Ministria e Jashtme ka kërkuar që të respektohet Marrëveshja e Prespës me Greqinë, duke shtuar se të gjithë aktorët politikë duhet të kenë kujdes
“Ruajtja e kursit euroatlantik të vendit përfaqëson një interes themelor strategjik dhe një garantues të sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë të vendit”, theksohet në deklaratë.
Pas fjalimit të Davkovës erdhën reagime nga BE-ja, Greqia dhe Bullgaria të cilat gjithashtu bënë thirrje për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.
Reagimi i plotë i MPJ-së:
Ministria e Punëve të Jashtme konfirmon vendosmërinë e fuqishme të vendit në respektimin pa mëdyshje të dispozitave kushtetuese si dhe të gjitha obligimeve të ndërmarra ndërkombëtarisht si respektimi i plotë i Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë, e njohur si Marrëveshja e Prespës.
Gjatë shtatë viteve të fundit, dy vendet fqinje kanë zhvilluar një nivel jashtëzakonisht të lartë të dialogut politik, i cili ka rezultuar në një rritje të disafishtë të bashkëpunimit ekonomik dhe në ndërtimin e marrëdhënieve pozitive mes njerëzve. Këto përfitime rezultuan me anëtarësimin e vendit në NATO, hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe përmirësimin e Partneritetit Strategjik në Dialog Strategjik me Shtetet e Bashkuara.
Bëjmë thirrje për kujdes nga të gjithë aktorët politikë, veçanërisht funksionarët e zgjedhur të shtetit. Ruajtja e kursit euroatlantik të vendit përfaqëson një interes themelor strategjik dhe një garantues të sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë të vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.