Ngjarje

Fjalët që po kërkohen më shumë tani

Në kohëra të frikshme njerëzit dëshpërimisht kontrollojnë për burime të besuara informacioni si shkencëtarët dhe autoritetet publike, si përshembull po ndodh tani në pandeminë e koronavirusit. Por ata gjithashtu i besojnë dhe një fronti pakëz më të dukshëm autoriteti. Tradicionalisht fjalorët kanë ofruar ngushëllim e mbështetje në situata ku saktësia ka qenë esenciale për zgjidhje konfliktesh apo këndvështrimesh të ndryshme.

Fjalorët sot janë me shumicë online. Fjalorët më të mirë të sotshëm jo veçse janë më të mirë se më përpara por ata gjithashtu u ofrojnë leksikografëve një ide të përafërt se çfarë kanë në mendje njerëzit.

Merriam-Webster një prej fjalorëve më të famshëm në SHBA, për vite me radhë ka dhënë informacione dhe për fjalët që janë kërkuar më së shumti në periudha të ndryshme. Këtë kohë pandemie njerëzit kanë kërkuar fjalë si coronavirus e cila sipas Merriam Webster është kërkuar me 1,100,000% më shumë se krahasuar me një vit më parë. Gjithashtu fjalë të tjera si "epidemi", "pandemi", "karantinë" dhe "vetizolim", i kanë ndihmuar shikuesit e ndryshëm të këtyre statistikave mbi kërkimet e fjalëve, të kuptojnë ecurinë e këtij trendi.

Disa fjalë të tjera që patën një hov në kërkimet e sajtit të fjalorit online Merriam-Webster në shkurt teksa qeveria amerikane po niste të vepronte, ishin ato si "drakonian" (draconian), "izolim" (lockdown), dhe "triazh" (triage). Fjalë tjetër që pati hov në kërkimet e sajtit ishte dhe “Martial Law” pas përmendjes së saj nga një postim në Twitter nga senatori Marco Rubio (kjo si frazë nënkupton ligjin ushtarak që hyn në fuqi në situata të jashtëzakonshme dhe qeverisja normale pushon së funksionuari)

Interesant është fakti se njerëzit në këtë fjalor kontrollojnë dhe fjalë të zakonshme si “cancel” e kjo se mbase duan të dinë nëse format e fjalës cancel si “cancelling” kanë një L apo dy. (Përgjigja?: Në ShBA përdoret me një L ndërsa në Angli, Kanada dhe shumë vende të tjera anglisht-folëse përdoret me dy L). Gjithashtu ka pasur hove kërkimesh dhe për fjalë si "besim" (trust) e  "stres" (stress). Peter Sokolowski i Merriam-Webster shprehet se është e vështirë ta dimë pse. Por ai aludon se mbase në situata urgjente nevoja për t’u dhënë një kuptim konkret fjalëve abstrakte është shumë e madhe. /The Economist


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë