Gazeta “SI”- Publikimi online i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe është pasuar nga një varg kritikash për mënyrën se si ky fjalor ka implementuar fjalët e reja, por kryesisht për mënyrën e shtjellimit të tyre.
Një ndër fjalët që krijoi një sërë reagimesh në rrjetet sociale ishte fjala “bythadritë”, e cila vinte si sinonim i xixëllonjës dhe që ka shkaktuar jo pak diskutim mes grupeve të interesit.
Po ashtu, fjala e huazuar nga italishtja “abandonim”, e përfshirë tashmë në fjalorin online, i cili përmban rreth 125 mijë fjalë, ka qenë objekt debatesh.
Kritika nga vetë akademikët
Përpos kritikave masive nga individë që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me fjalorin, ajo që bie në sy është reagimi i Ardian Ndrecës dhe Ardian Vehbiut, të dy tashmë pjesë e Akademisë së Shkencave, të cilët vënë në dukje mangësitë e këtij fjalori.
Në një reagim në rrjetin e tij social Facebook, profesori i filozofisë në Universitetin Urbaniana të Romës, Ardian Ndreca, vë në dukje varfërinë e shtjellimit të fjalëve që i përkasin kryesisht fjalorit të filozofisë.
“Ajo që më bën përshtypje është varfëria që karakterizon shtjellimet e skajeve me natyrë filozofike.
Sigurisht që fjalori i shqipes nuk është një fjalor filozofie, por për aq sa përmban skaje me ngjyrime apo me përdorim parësor filozofik, duhet të ishte strukturuar në mënyrë të qartë, me nuancat minimale disiplinore që i përkasin koncepteve në fjalë dhe me dallimet mes asaj që është shkencore dhe asaj që është ideologjike.
E keqja është se leksikografët tanë (por nuk është faji i tyre) ndër dekada kanë pasur vetëm një formim ideologjik dhe kanë pasqyruar nocionet filozofike në atë dritë në të cilën ata vetë janë formuar”, shkruan Ndreca.
Ndërkohë, ai merr në shqyrtim termin transhendencë, duke u shprehur se shtjellimi në fjalor është krejt i kundërt me kuptimin e saktë të tij.

“Transhendencë: ‘të qenët përtej kufijve të përvojës a të mendimit njerëzor’; në fakt është krejt e kundërta. Transhendenca nuk është përtej mendimit njerëzor, por përtej mundësisë së njohjes racionale të diçkaje që për ne nuk paraqitet si një fenomen që mund të kapet prej shqisave. Por, ndërkaq, transhendenca mbetet një objekt legjitim i mendimit njerëzor. Nuk them se mund ta kishin shpjeguar në detaj, do të mjaftonte të mos e kishin shpjeguar gabim.”
Po ashtu, Ndreca vijon me përcaktimin dhe shtjellimin e fjalës “person”, e cila sipas fjalorit të ri shpjegohet: “njeriu si individ, njeri, vetë”.
“Skaji individ shenjon një frymor të plotë (të pandashëm më tej) në këndvështrimin lëndor, kurse person është një qenie racionale e pajisur me vetëdije dhe me vullnet; personi është i aftë të krijojë objektiva që nuk ekzistojnë si të tilla në natyrë dhe t’i realizojë ato edhe me mjete jo natyrore. P.sh., po të marrim një kalorës mbi kalë: kemi dy individë dhe vetëm një person. Individët i numërojmë, kurse personat i trajtojmë si të tillë, u njohim dinjitetin, të drejtat, vullnetin, lirinë etj.”
Ai e mbyll reagimin e tij duke ironizuar edhe hartuesit e Fjalorit të Madh:
“Gjithsesi urime atyre që kanë punuar me seriozitet, sepse në fund të fundit, kur institucioni të jetë çliruar prej mediokritetit që e ka zaptuar, do të mund të punohet më mirë, duke pasur parasysh edhe këtë ‘fjalor të madh’, që ka në vetvete brumë të mirë, i cili nuk identifikohet tout court me institucionin e sotëm, por me gjenerata punëtorësh të leksikografisë sonë.”
Ardian Vehbiu: Një fjalor serioz nuk mund t’ia lejoje vetes inkonsistencën
Ndërkohë, një tjetër zë që i adreson kritikat ndaj fjalorit është gjuhëtari dhe shkrimtari Ardian Vehbiu, gjithashtu pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Vehbiu, në shtjellimin e tij të publikuar në “Peizazhe të fjalës”, merr si shembull shpjegimin dhe përcaktimin e veglave muzikore dhe vë në dukje mangësitë në shpjegimin terminologjik të tyre.
“Për violinën dhe violonçelin thuhet se janë ‘vegla me tela’ dhe që ‘u bihet me hark’; por kjo specifikë mungon për kontrabasin, i cili përkufizohet thjesht si violonçel më i madh. Për flautin thuhet se ka trajtën e një fyelli; madje edhe se ka katërmbëdhjetë vrima; ndërsa për oboen sqarohet se ‘fryhet përmes një fryrësi me dy kallama’, ‘që prodhon tinguj shumë shprehës, melodikë, të hollë dhe të mprehtë’.
Klarineta prezantohet si ‘e ngjashme me fyellin’. Saksofoni jepet si vegël frymore ‘prej tunxhi’, trumbeta si vegël muzikore frymore ‘prej bronzi’ dhe tromboni ‘vegël muzikore frymore prej metalit’. Kornoja franceze është dhënë si bri (zgjedhje e diskutueshme). Pjesa ku vihen buzët quhet sipas rastit pipëz dhe pipth. Në përkufizime jepen ndonjëherë hollësi të panevojshme për këtë lloj fjalori…”
Mospërfshirja e disa fjalëve apo futja e disa të tjerave në fjalor, sipas Vehbiut, nuk është kusht i domosdoshëm, së paku për sa i përket grupimit të veglave muzikore. Por kjo mënyrë, sipas tij, krijon një precedent që mund të ndikojë edhe në grupime fjalësh më të rëndësishme.

“Gjithnjë në parim, nuk ka fjalë shqipe që duhet mbajtur me çdo kusht jashtë një fjalori, dhe po ashtu fjalë që duhet futur me çdo kusht. Por asnjë fjalor serioz nuk duhet t’ia lejojë vetes inkonsistencën, sepse kjo tregon, në rastin më të mirë, ngutje, dhe në rastin më të keq, bashkërendim të pamjaftueshëm të punës brenda ekipit.” shkruan Ardian Vehbiu
Fjalë të reja, shtjellime të “vjetra”
Ajo që kuptohet nga reagimet e dy personaliteteve të fushës, si Ardian Ndreca dhe Ardian Vehbiu, është se ky fjalor lë për të dëshiruar jo vetëm në përzgjedhjen e fjalëve, por veçanërisht në mënyrën se si ato janë shtjelluar në shpjegimet përkufizuese.
Shumë fjalë shpjegohen aq shkurt dhe në mënyrë kaq skematike, sa e humbet edhe misionin e tekstit shpjegues, i cili në vetvete duhet të shërbejë si “dekodues” i fjalës, edhe kur ajo është e panjohur për përdoruesin.
Gjuhëtarët nuk duhet domosdoshmërisht të jenë edhe shkrimtarë apo krijues, por në Shqipëri, për shkak edhe të një trashëgimie marksiste, Fakulteti i Gjuhë-Letërsisë nuk është parë vetëm si një institucion që formon gjuhëtarë apo studiues të letërsisë, por edhe shkrimtarë.

Për këtë arsye, shkrimtarët që kanë njohje të thella gjuhësore, si rasti i Ardian Vehbiut, janë të shumtë në Shqipëri. A nuk do të ishte e udhës që ky grup shkrimtarësh, të cilët janë edhe gjuhëtarë me formim akademik, të ishin pjesë e hartuesve, duke pasur si procedurë të veçantë vetëm pjesën shtjelluese të fjalëve?
Në këtë mënyrë, këto fjalë, edhe pse të reja dhe herë-herë të çuditshme, do t’i vinin lexuesit më të latuara, më lakonike, e jo kaq skematike dhe herë-herës edhe qesharake.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



