Politike

Fjala e fundit e opozitës parlamentare: Treguam se djegia e mandateve s’ka vend! Rama-Basha janë bashkë

Myslim Murrizi, Ralf Gjoni, Kostaq Papa dhe të tjerë deputetë të asaj që u njoh si opozita parlamentare pas vendimit të shkurtit të 2019-s për djegien e mandateve të deputetëve nga ana e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim mbajtën këtë të mërkurë fjalën e fundit në foltoren e Kuvendit.

Të gjithë vlerësuan punën e tyre në Kuvend dhe sulmuan akuzat e ngritura nga opozita jashtëparlamentare, ndërsa thanë se me vendimin për të mos djegur mandatet dhe për t’i marrë ato krijuan një precedent.

“U treguam shqiptarëve që bojkoti dhe djegia e mandateve në demokraci është e papranueshme”, tha Ralf Gjoni, që në Kuvend e mori mandatin pas largimit të LSI-së.

Myslim Murrizi foli gjatë për të akuzuar PS e PD për aktrim. Ai tha se shqiptarët nuk janë sot në një periudhë postkomuniste, por neokomuniste.

“Këtu ftohet Luli, tështin Rama dhe ftohet Rama tështin Luli! Si mund të ndahen këta që janë bashkë?! Uroj dhe shpresoj që ky teatër i pështirë i neokomunizëmit t’i ketë ditët e numëruara. Dashtë Zoti, ngacmimit për mirë të koshiencës së qytetarëven shqiptarë që të mos votojnë më me stomak, por me mend. Të mos votojnë për një trastë miell. Dashtë Zoti që edhe shqiptarët të kthehen nga e mira dhe e mbara”, tha ai.

Murrizi tha se është krenar që ka votuar kundër herësit për hapjen e listave duke shtuar se Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë.

“Ka pasur dy momente të rëndësishme shërbimi ynë në Kuvend. Vendosja e një precedenti shumë të rëndësishëm në Kuvend që është se askush më nuk do të guxojë të djegë besimin e popullit duke djegur mandatet. Momenti i dytë është për të cilin edhe unë e kam pasur një betejë, edhe personale që është hapja e listave. Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë dhe kjo është një fitore, sidomos për zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi deputeti Andi Përmeti, që në Kuvend ka hyrë nga listat e Partisë Demokratike, por që më pas ishte mes themeluesve të Bindjes Demokratike.

Por ka edhe nga ata që kanë pakënaqësi ndaj kolegëve, si rasti i Selami Jenishehrit.

“Këta janë deputetët më të poshtër që ka pasur historia e Parlamentit shqiptar. Nuk kanë pranuar të votojnë ligjin që kam propozuar unë aty për detektivin privat, që ky detektiv të çon direkt në burg. Kam kërkuar që të vendoset dhe njëherë në fuqi neni 315 i Kodit Penal, ku gjyqtari ka të drejtë të përgjigjet para ligjit, nëse merr një vendim të padrejtë”, tha Jenishehri, duke shtuar se po vijon betejën në gjykata për të përsëritur zgjedhjet e 25 prillit.

Pati edhe nga ata deputetë, që më shumë se për kontributin e dhënë në proceset ligjbërëse dhe kontrolluese të institucioneve të tjera u bënë të njohura për publikun me fjalimet e tyre. Njëra prej tyre është Majlinda Halilaj.

Ajo tha se nuk ndjen keqardhje që nuk do të jetë pjesë e Parlamentit të ri, se e ka përmbushur misionin e saj si ligjvënëse dhe refuzoi me “s’ka ç’ju duhet juve” pyetjen e gazetarëve se cili ka qenë ligji më i rëndësishëm që ka votuar në Kuvend.

Halilaj u bë e famshme për fjalimin e mbajtur gjatë shqyrtimit të ligjit për korporatave, të cilave u referohej me fjalën “kërpërata”. Vetë deputetja tha se bëhej fjalë për një lapsus nga emocionet, ndërkohë që më vonë u ngritën dyshime se i gjithë fjalimi i saj ishte kopjuar nga një status i ish-deputetes së PD, Jorida Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë