Gazeta Si – Pas triumfit në Uimbëlldon të Elena Ribakina, Federata Ruse e Tenisit ka marrë merita për arritjen e tenistes. Menjëherë ka ardhur reagimi nga Kazakistani. Fituesja e Uimbëlldonit ka futur në sherr dy vendet.
‘Një produkt yni’. Kështu e konsideron Rusia Elena Ribakinën, kampione në Uimbëlldon. Lojtarja ka lindur edhe është rritur në Moskë, por është natyralizuar kazake që prej 2018-ës. Triumfi i saj në turneun britanik është festuar edhe në Rusi.

Numri 1 i Federatës Ruse të Tenisit, Tarpishev, pas turneut të Uimbëlldonit ka thënë: “Fantastike! Bravo Ribakina, kemi fituar turneun e Uimbëlldonit”.
Deklaratën e tij e ka pasuar edhe ish-numri 1 në botë, Jevgeni Kafelnikov, i cili në Tuiter ka shkruar: “Të blesh një produkt të gatshëm të nivelit të lartë nga fabrika është diçka që mund ta bëjë çdokush”. Fituesja e Uimbëlldonit gjendet kështu në mes të një polemike mes dy vendeve.
Prindërit e tenistes jetojnë ende në Moskë dhe Ribakina foli me shumë siklet pas fitores për vendin e Putinit: “Kalimi në karrierën si profesioniste është shumë i vështirë, – tha për shtypin kazak Ribakina sapo u kthye nga Londra”.
“Duhet një skuadër e nivelit të lartë dhe jo të gjithë janë në gjendje të arrijnë suksese. Pak ia dalin dhe për këtë ndihem me shumë fat. Jo, nuk jam dakord me deklaratën e Tarpishev”, – shtoi fituesja e Uimbëlldonit.
✨ Elena Rybakina ✨
— wta (@WTA) July 11, 2022
📷: AELTC/Ben Queenborough | #Wimbledon pic.twitter.com/FU27e2CSUM
Pranë Ribakinës në takimin me mediet e Kazakistanit ishte edhe presidenti i federatës së tenisit, Polskij, i cili polemizoi me kolegun rus.
“Nëse ky sukses është produkt i Rusisë, atëherë pse e lanë të ikte kaq lehtë? Në 2018-ën, kur Elena erdhi te ne, Tarpishev tha se nuk e konsideronte një lojtare promtuese. Megjithatë, them se është rasti ta lëmë këtë polemikë, është folur shumë”, – tha Polskij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



