Motosport

Fituesit dhe humbësit e vitit 2025 në F1

Nga Gazeta Si – Kush u mbulua me lavdi dhe kush pati një sezon për t’u harruar?

Tani që viti 2025 në Formula 1, është pjesë e historisë, kthejmë vështrimin pas për të përzgjedhur fituesit dhe humbësit e sezonit.

Ndërsa pluhuri ulet pas një sezoni spektakolar, analizojmë fushatën dhe përzgjedhim protagonistët kryesorë të vitit 2025…

  • Fituesit:

Lando Norris
Lando Norris realizoi ëndrrën e tij në Abu Dhabi, duke i bërë ballë një Max Verstappen-i të rikthyer dhe konkurencës nga shoku i skuadrës te McLaren, Oscar Piastri, për t’u shpallur Kampioni i 35-të i Botës në Formula 1. Ai fitoi 7 “Grand Prix” dhe siguroi 7 “pole position”, 18 podiume dhe 6 xhiro më të shpejta, duke e mbyllur sezonin 2 pikë përpara Verstappen.

McLaren
Është një gjë të fitosh Kampionatin e Konstruktorëve, një tjetër ta mbrosh atë – dhe diçka krejt tjetër të menaxhosh me sukses 2 pilotë që luftojnë mes tyre për titullin – por pikërisht këtë arriti të bëjë McLaren në vitin 2025. Norris i dha gjithashtu McLaren-it titullin e parë të Kampionit të Pilotëve që nga viti 2008, kur Lewis Hamilton fitoi titullin e tij të parë në Formula 1.

Max Verstappen
Verstappen dështoi në misionin e tij përfundimtar për të fituar një titull Botëror të 5 radhazi, por rikthimi i tij spektakolar në fund të sezonit do të mbetet legjendar. Piloti i Red Bull ishte 104 pikë pas në përfundim të Zandvoort-it, por më pas zhvilloi një seri të jashtëzakonshme me 6 fitore në 9 “Grand Prix”, si dhe u ngjit 3 herë në podiume të tjera, duke e mbyllur sezonin vetëm 2 pikë larg titullit.

Williams
Ky ishte një sezon i jashtëzakonshëm për Williams, ku Alex Albon dhe Carlos Sainz shfrytëzuan maksimalisht një makinë konkurruese që funksionoi shkëlqyeshëm që prej fillimit, duke siguruar vendin e 5 dhe vlerësimin si skuadra më e mirë e mesit të tabelës.

Debutuesit
Grupi i debutuesve të vitit 2025 ka arsye të jetë i kënaqur me atë që arriti këtë sezon.

– Kimi Antonelli (Mercedes) ishte performuesi më i mire. Italiani siguroi 3 podiume dhe e mbylli sezonin në formë më të mirë.

– Isack Hadjar (Racing Bulls) arriti gjithashtu 1 podium me një paraqitje të shkëlqyer në Holandë, ndërsa performanca e tij e përgjithshme gjatë sezonit ishte bindëse për t’i siguruar promovimin në ekipin zyrtar të Red Bull.

– Ollie Bearman pati një periudhë shumë të mirë në fazën përfundimtare të vitit, e cila përfshiu një vend të 4 në Meksikë, në mes të një serie prej pesë garash radhazi në zonën e pikëve, duke grumbulluar më shumë pikë se shoku i skuadrës te Haas, Esteban Ocon.

– Ndërkohë, Gabriel Bortoleto fitoi pikë në 5 raste dhe arriti të mposhtte shokun e skuadrës te Sauber, Nico Hülkenberg, i njohur për shpejtësinë e tij në një xhiro të vetme, në përballjet kualifikuese.

  • Humbësit:

Oscar Piastri
Piastri ishte favorit absolut për të fituar titullin e parë Kampion Bote, përpara pushimeve verore – dhe i forcoi edhe më shumë kredencialet e tij me një fitore të shkëlqyer pas rifillimit të sezonit në Zandvoort, duke e rritur avantazhin e në 34 pikë. Mirëpo australiani u aksidentua dy herë gjatë fundjavës së Çmimit të Madh të Azerbajxhanit, çka shkaktoi një seri të zymtë prej 6 garash, e cila e nxori nga gara për titullin.

Alpine
Ky ishte një sezon zhgënjyes për Alpine, që mori pikë vetëm në 5 Grand Prix, duke u renditur e fundit në Kampionatin e Konstruktorëve. E thënë ndryshe, 4 vende më poshtë krahasuar me sezonin e kaluar, ndërsa totali prej 22 pikësh ishte 48 më pak se Sauber, skuadra e rradhës në renditje.

Ferrari
Ferrari kishte pritshmëri të larta për këtë sezon, pasi kishte dueluar me McLaren deri në garën e fundit të 2024 në luftën për Kampionatin Botëror të konstruktorëve. Megjithatë te “Scuderia” përjetuan një vit të dhimbshëm, pa asnjë fitore dhe pa asnjë podium për 7 herë kampionin e Botës, Lewis Hamilton, çka rriti ndjeshëm presionin mbi drejtuesin e ekipit, Fred Vasseur. Charles Leclerc siguroi 7 podiume me një makinë që në fund rezultoi u rendit në vendin e 4 në Kampionatin e Konstruktorëve – një fashë ngushëlluese drite në një fushatë zhgënjyese.

Aston Martin
Ky ishte një sezon sfidues për Aston Martin, që nuk arriti më lart se vendi i pestë, ndërsa rivalët Williams, Racing Bulls dhe Sauber, përjetuan shijen e shampanjës në podium.

Red Bull
Edhe te Red Bull kishin pritshmëri të larta për të rikthyer titullin Botëror këtë vit, por rezultoi të jetë sezoni i tyre më i vështirë në periudhën e fundit, pasi I humbën të dy titujt dhe gjithashtu pane largimin e Christian Horner.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë