Nga Luljeta Nelallari – Petale trëndafilash, familjarë të bashkuar, ngrohtësi familjare, qytete pa njerëz, makina të parkuara… këto janë pikturat që të serviren sapo futesh në sallën e ekspozitave në Muzeun Historik Kombëtar.
Nën një frymë optimiste dhe plot ngjyra, artisti Abaz Hado nëpërmjet artit pamor i jep kuptim periudhës së errët dhe të pazakontë të shkaktuar nga Covid-19 me ekspozitën “Fituam jetën”, në Muzeun Kombëtar.
Është një koleksion prej 100 tablosh në akuarel, vizatim dhe akrilik që artisti Hado ka si qëllim t’i japë publikut idenë e ringjalljes dhe rifillimit të jetës pas një periudhe të gjatë izolimi. Ai ka ravijëzuar në tablo momente që të çlirojnë teksa i shikon dhe vijnë si një kërkesë e artistit për të reflektuar besim.

Hado thotë për Gazetën “Si”, se është pikërisht trëndafili simbolika e kësaj ekspozite, pasi mbyllja erdhi në kohën e pranverës, çeljes së trëndafilave, por ka edhe një domethënie tjetër, pasi arritëm të dalim e rifillojmë jetën, duke i mbijetuar një periudhe të vështirë.
Ai shprehet se tematika e kësaj ekspozite vjen e lidhur fort me familjen dhe jetën.

“Ne gjetëm mbrojtje nga një armik tejet i rrezikshëm pa ngjyrë, pa dukje, vetëm me një emër ishte i aftë të merrte jetë njerëzish të futej kudo duke vënë në dilema pasigurie, shtete me super fuqi. Kjo do ndryshonte jetët tona sepse ne kuptuam se jemi shume të brishtë ndaj fenomeneve të tilla, kur rrinim të mbyllur.
Na mbetej familja si një organizëm nga ku merrnim jetë. Koha ishte e gjatë, plot kurthe stresi që mund të ndikonte në psikikën e secilit. Por njerëz të ndryshëm ditën ta përballojnë me dinjitet sepse janë njerëz të fortë e optimistë”, shprehet Hado për Gazetën “Si”, ndërsa vë theksin se izolimi për të ka ndikuar në kreativitet më të madh.
“Unë i përkas pikërisht kategorisë optimiste, nuk u dëshpërova, por vendosa ta konsideroj si leje krijuese dhe nisa të punoj me intensitet. Ditë pas dite shihja që po rritej numri i punimeve”, vijon më tej ai.

Artisti rrëfen për Gazetën “Si” edhe eksperiencat personale gjatë kësaj kohe absurde, siç janë ardhja në jetë e mbesës së tij, por edhe humbja e nënës, ndodhi të cilat kanë zgjeruar gamën e pikturave të tij.
“Gjatë muajve mars-prill në verandën time filluan të çelin petalet e trëndafilat. Si një ringjallje ato na japin shpresën e kuptimit të jetës. Pak më vonë në shtëpi erdhi mbesa Aria që lindi si një diell mirësie duke na sjellë optimizmin dhe besimin. Për mua ishte një rast i bukur për të rifilluar punën krijuese. Por shpirti i brishtë i imi prej artisti do goditej këtë radhë nga humbja e nënës. Në këto kushte unë vendosa të jem për një ekspozitë që ka simboliken e jetës. Pra duke qenë i ndërgjegjshëm se pavarësisht gjithçkaje që na ndodhi duhet të jemi mirënjohës që nuk humbëm jetën, kjo është e rëndësishme”, shprehet piktori Abaz Hado.
Ai shton se këto vepra do i shërbejnë publikut për të kuptuar që u përfshimë në një periudhë tragjike, por jo pa rrugëdalje.
“Ekspozitat organizohen për një publik dhe unë pres që nga kjo ekspozitë vizitorët dhe ata që po marrin veprat e mia të kuptojnë se janë vepra të bëra në kushte specifike dhe janë pasqyrim i disa momenteve të vërteta nga një kohë që ishte përfshirë nga një ngjarje tragjike, por jo pa rrugëdalje. Ato janë kujtime të një kohe me pandemi globale. Megjithëse nuk përfshihen nga pesimizmi, por kanë frymën e ngjyrat e optimizmit”, shpjegon piktori më tej.
Sa i përket artit sot, duke e lidhur dhe me pandeminë në të cilën ndodhemi, Hado thotë se është në një sfidë globale.
“Sfidat sot janë globale ndaj artit, kjo jo në aspektin krijues, por në atë marketues, pra është vështirë të organizosh ekspozita dhe të afrosh një publik që të ndjek”, përfundon artisti Hado.
Ekspozita “Fituam jetën” vazhdon që të qëndrojë e hapur në Muzeun Historik Kombëtar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.