Futboll

Fitorja më e madhe e Fadil Vokrrit

Përgjatë viteve ’80-’90 emri i tij ishte sinonim i futbollit dhe shihej si modeli që duhej ndjekur nga brezat e rinj. Karrierën e kish nisur shpejt me skuadrën e vendlindjes. Me punë, e sidomos talentin që kishte arriti që të cekte majat e futbollit jugosllav në atë periudhë.

Fadil Vokrri iku shpejt nga kjo jetë, por jo aq shpejt sa ai lëvizte brenda zonës së kundërshtarëve, për të gdhendur emrin e tij mes legjendave të futbollit mbarëshqiptar.

E filloi karrierën e tij si futbollist profesionist në moshën 17-vjeçare me KF Llapin të Podujevës dhe më vonë kaloi tek KF Prishtina në kategorinë e dytë të Jugosllavisë së asaj periudhe. Arriti që së bashku me skuadrën të ngjitej mes më të mirëve

Ra në sy për talentin e tij dhe shpejt do të shfaqej interesimi nga Partizani i Beogradit dhe Dinamo e Zagrebit. Arsyen se përse zgjodhi Partizanin për të vazhduar karrierën e dha vite më vonë, fort dhe qartë.

“Së pari ka vendosur afërsia gjeografike Prishtinë-Beograd, pastaj siç dihet në atë kohë Partizani ka pasur shumë tifozë në Kosovë, sepse ky ekip gjithnje kishte ndonjë shqiptar të aktivizuar në klub. Edhe unë si fëmijë, si çdo moshatar i imi isha simpatizues i Partizanit të Beogradit, dmth si shumica e kosovarëve, andaj këto ishin arsyet që unë kalova në radhët e ekipit të “Partizanit”. Kushtet që më pati ofruar ky ekip ishin shumë të mira dhe Prishtina, me transferimin tim tek Partizani, nuk është ndarë keq për nga paratë që përfitoi. Kështu që të gjitha komponentet u përmbushën që unë të bëhem lojtar i ekipit të Partizanit”, deklaronte ai.

U transferua në vitet kur Millosheviçi sapo kish nisur t’i vinte flakën ish-Jugosllavisë dhe gjithë Ballkanit, ndaj në kryeqytetin serb nuk gjeti tapetin e kuq të shtruar.

“Nuk kanë munguar edhe provokimet e ndryshme. Kur minatorët e Trepçës hynë në grevë, TV Vesti nga Beogradi, në emisionin në gjuhën shqipe më ftoi që unë të bëja thirrje që minatorët të dalin nga greva dhe galeritë ku po protestonin. Më janë paraqitur dy-tre herë emra të ndryshëm të sferës së politikës, mirëpo unë u thashë se nuk merrem me politikë dhe se janë politikanët të cilët mund të bëjnë thirrje, jo unë”, rrëfente po disa vite më vonë.

Fadil Vokrri gjatë ndeshjes Flamurtari-Partizani i Beogradit, zhvilluar në Vlorë

Dy vitet me Partizanin e katapultuan në përfaqësuesen e Jugosllavisë. Luajti 12 ndeshje e shënoi 6 gola. Ra në sy edhe tek zbuluesit ndërkombëtarë. Në vitin 1987, skuadra e Juventusit në Itali u përpoq të siguronte shërbimet e tij, por marrëveshja nuk u arrit me Partizanin.

Vokrri kalon më vonë tek Nimes në Francë dhe në vitin 1990 në Turqi. Luajti dy sezone me Fenerbahçen dhe u rikthye bashkë me familjen sërish në Francë, ku mbylli karrierën si futbollist me skuadra të një niveli më të ulët.

Pas luftës vendosi të rikthehej në Kosovë me synimin për të ndihmuar Prishtinën e tij, por fati i kish caktuar një mision historik. Pas përvojës si drejtor i Prishtinës, në 2008 Fadil Vokrri mori detyrën e Federatës Kosovare të Futbollit.

Sfidat ishin të mëdha. Vendi sapo kish shpallur pavarësinë dhe njohjet po vinin nga të gjitha anët e botës. Por, sporti në përgjithësi, e sidomos futbolli ishte më i izoluar se kurrë. Emergjencat ishin të shumta, që nga çështjet organizative të brendshme, e deri tek udhëtimet e shpeshta për të bindur UEFA-n e FIFA-n se Kosova duhej të anëtarësohej.

Iu adresua asambleve të mbledhura të UEFA-s e FIFA-s herë me letra e herë si i ftuar i posaçëm, pasi i mungonte statusi i anëtarit. Në to kërkonte që futbolli kosovar të dilte nga izolimi dhe sporti që bashkonte njerëz, të mos shërbente për t’i ndarë ata.

Kërkesat refuzoheshin njëra pas tjetrës, edhe për shkak të lobimit të fuqishëm të Serbisë dhe aleatëve të saj jo të paktë dhe jo pa peshë në UEFA e FIFA. Njëri prej atyre që dolën në krah të Beogradit ishte edhe ish-Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter.

“Rregullat janë të qarta, që një vend të anëtarësohet në FIFA duhet që më parë të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, deklaronte Blatter, i pyetur në atë kohë për rastin e Kosovës.

Vokrri nuk u dorëzua. Ai vazhdoi misionin e tij i palodhur dhe me kokëfortësi. Puna do të shpërblehej edhe nga rrethana që nuk lidheshin me futbollin. Në vitin 2015, FBI amerikane nis një hetim të beftë me akuzat e korrupsionit. Disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të UEFA-s dhe FIFA-s përfundojnë në pranga.

Sepp Blatter (majtas) dhe Michel Platini (djathtas), kur drejtonin përkatësisht FIFA-n dhe UEFA-n

Sepp Blatter dhe Michel Platini u larguan dhe më vonë ndëshkuan me ndalim të pjesëmarrjes dhe drejtimit të organizatave sportive për shkak të abuzimit me detyrën dhe korrupsion. Më 3 maj të 2016 Federata e Kosovës u pranua si anëtare me të drejta të plota në UEFA dhe 10 ditë më vonë edhe në FIFA.

Kjo ishte fitorja më e madhe për sportin kosovar dhe vetë Fadil Vokrrin. Por, ai vetë ishte i vetëdijshëm që vendin e sfidave nëpër korridoret e UEFA-s dhe FIFA-s do ta zinin të tjera sfida; ato të ngritjes së futbollit kosovar.

Nisi thërritjen e lojtarëve që deri në atë moment kishin zgjedhur fanela të tjera, përfshirë ata që luanin për Shqipërinë. Skuadra po kompletohej ngadalë dhe më shumë sesa rezultatet, fushata e parë për eleminatoret e Botërorit Rusi 2018 ishte për konfirmim. Kosova u rendit e fundit, por ishte gati për kalimin në një tjetër nivel, atë të konsolidimit.

Trajneri Albert Bunjaki i lë vendin Bernard Challandes dhe ky tregon se potenciali i përfaqësueses së Kosovës është shumë i madh. Në miqësoren vëllazërore të Zyrihut, Kosova neutralizoi paq Shqipërinë, duke e mposhtur në të gjitha drejtimet me rezultatin 3-0.

Më shumë sesa rezultatit, Fadil Vokrri iu gëzua faktit që skuadra po rritej dhe gëzime edhe më të mëdha dhe më të vërteta dukeshin në sfond, gëzime që fatkeqësisht nuk arriti që t’i shohë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë