Shqipëria është një vend i vogël, pa ndonjë konflikt domethënës që të tërheqë vëmendje, por sado larg dhe sado pak, ndikimi i një administrate të re amerikane sjell me vete disa pikëpyetje për Ballkanin, për Kosovën dhe për Shqipërinë. Komentatori dhe konsulenti politik, Neritan Sejamini, i cili njeh mirë si funksionon administrata amerikane, beson se ndryshimi nuk do të jetë i madh, por ka gjithmonë çfarë mësohet nga një fushatë presidenciale amerikane. “Nëse ka një mësim që mund të merret nga SHBA dhe mund të vlejë për Shqipërinë është se triumfoi ekonomia mbi demokracinë.”- tha zoti Sejamini në një intervistë për gazeta Si, I cili argumenton edhe pritshmërinë e ulët për ndryshim në lidhje me politikën e jashtme në Ballkan. “Administrata amerikane është shumë e qendrueshme jo vetëm në personel, por edhe në politikat e jashtme. Kur formulohet një politikë, ajo qendron për disa administrata. Kështu që, edhe pse vjen Trump, nuk besoj se do të ketë ndryshim thelbësor në politikën e jashtme amerikane, kur bëhet fjalë për vende që s’kanë konflikte apo rëndësi.”- u shpreh Neritan Sejamini. Me këtë tezë ai shpjegoi edhe pse beson se janë shumë të pakta mundësitë për heqjen e non gratës së kryetarit të PD-së, Sali Berisha. Gjatë intervistës, zoti Sejamini bën edhe një parashikim për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, si dhe analizon shanset për rikthimin e skenarit të shëkmbimit të territoreve Kosovë-Serbi gjatë mandatit të dytë të Presidentit Trump.
Gazeta Si: Me fitoren e Donald Trump, çfarë mësimesh mund të nxjerrë politika shqiptare, duke qenë se jemi përpara zgjedhjeve edhe ne?
Neritan Sejamini: Ka disa tregues domethënës që i dhanë fitoren Donald Trumpit, por më e rëndësishmja është që ai ka fituar tek ajo shtresë e Amerikës, nga të rinjtë, tek latinët, tek ata me një arsim mesatar dhe të ulët, që ndeshej me problemet e përditshme të ekonomisë dhe që kishin nevojë për një aspiratë të re ekonomike në Amerikë. Nëse ka një mësim që mund të merret nga SHBA dhe mund të vlejë për Shqipërinë është se triumfoi ekonomia mbi demokracinë. Fushata e zonjës Harris ishte një fushatë direkte kundër Trumpit, mënyrës së tij autokratike se, nëse ai fitonte do të ishte fundi i demokracisë amerikane, fundi i lirive dhe i të drejtave. Ndërsa Trumpi, me një gjuhë të thjeshtë, i bëri thirrje aspiratës së amerikanëve për një jetë më të mirëqenë, për një ekonomi më të fortë. Në fund, dominoi ekonomia mbi demokracinë. Duke parë këtë fakt, më vjen ndërmend një sondazh i para disa muajve në Shqipëri nga Qendra për Studimin e Qeverisjes. Kur shqiptarët u pyetën për arsyen kryesore pse mbështesin anëtarësimin në BE ata u përgjigjën se ekonomia ishte e para dhe mundësia për të lëvizur ishte e dyta. Edhe tek shqitarët askush nuk e përmendte demokracinë si një nga arsyet pse ne duhet të futemi në BE.
Gazeta Si: A duhet të jenë të gëzuar shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë dhe kudo tjetër, për fitoren e Donald Trump?
Neritan Sejamini: Problemi që ne kemi me gëzimin ose jo, është një problem thelbësor, sepse ne gëzohemi, pasi presim që të tjerët do të zgjidhin problemet tona. Ne presim që politika amerikane, Trumpi, të zgjidhë problemet tona politike, të cilat nuk i zgjidhim dot vetë. Pra, nëse ka njëfarë ngazëllimi nga opozita, ky ngazëllim nuk vjen për ndonjë arsye parimore, por ngaqë ata mendojnë se Trumpi mund të pushojë nga puna kryeministrin shqiptar Edi Rama. Nga ana tjetër, në PS gëzohen se mendojnë që, për shkak të investimeve që ka premtuar dhëndri i Trumpit në Sazan dhe Zvërnec, si dhe marrëdhënies që ka krijuar me kryeministrin Rama, ky do ta mbajë ramën në pushtet. Por nuk është kështu. Se kush i fiton zgjehdjet dhe kush qendron në pushtet, këtë e ka në dorë votuesi shqiptar.
Gazeta Si: Rikthimi i Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë a e rikthen skenarin e shkëmbimit të territoreve, që u vu në lëvizje gjatë mandatit të tij të parë?
Neritan Sejamini: Për shkak të konfikteve të tjera shumë të mëdha, nuk besoj se Kosova do të jetë prioritet kryesor i politikës së jashtme amerikane nën administratën Trump. Nga çfarë ka ndodhur në të shkuarën dhe nga çfarë e përshkruajnë për mënyrën sesi ai vepron, Trumpi është njeri pragmatik dhe është i prirur nga ideja që ai zgjidh probleme, zgjidh konflikte, bën bashkë palët që nuk bëhen kurrë bashkë. Edhe në rastin e Kosovës dhe Serbisë, mund të tentojë të japë një zgjidhje të shpejtë dhe të thjeshtë. Në mandatin e parë, kishte një avantazh që në Kosovë kishte një politikan që e mbështeste shkëmbimin e territoreve, siç ishte presidenti Thaçi. Aktualisht, nuk shoh që ka një faktor në Kosovë, që mund ta përqafojë këtë lloj zgjidhje dhe nuk do të jetë kaq e thjeshtë zgjidhja me shkëmbime territoresh duke qenë kryeministër Albin Kurti dhe presidente Vjosa Osmani. Por a mundet të tentohet e njëjta zgjidhje? Patjetër! A mundet që Presidenti serb Vuçiç të bjerë dakord? Patjetër! Por kjo do të varet shumë nga rezistenca e Kosovës.
Gazeta Si: Si funksion administrata amerikane? Presidenti merret vetë me të gjitha çështjet që kanë konflikt apo delegon kompetenca dhe pasatj I deleguari është i plotfuqishëm?
Neritan Sejamini: Për vendet me pak rëndësi, siç është Shqipëria, ka pak njerëz që merren në administratën amerikane. Personi më i rëndësishëm për politikën amerikane për Shqipërinë është ambasadori amerikan në Tiranë. Ai, bashkë me dy-tre drejtues të mesëm ose të ulët në Departamentin e Shtetit, përpunojnë politikën amerikane për Shqipërinë. Kur ka të bëjë me çështje të mëdha, patjetër që çështja arrin deri tek Sekretari i Shtetit dhe tek presidenti, por për çështje të Ballkanit apo Shqipërisë, që nuk kanë të bëjnë me konflikte etnike, konflikte shtetërore, me konflikte që mund të përhapen, vendimi në administratën amerikane merret në nivel shumë të ulët.
Gazeta Si: A mund të hiqet non grata nga një administratë e re e Presidentit Trump?
Neritan Sejamini: Neni, në bazë të të cilit zoti Berisha është shpallur non grata, ka dy pika. Pika e parë thotë se, nëse Sekretari i Shtetit ka dijeni që vendi pritës i ndihmës amerikane ka politikanë të korruptuar, ai duhet t’u ndalojë atyre hyrjen në SHBA. Pika e dytë, që nuk citohet asnjëherë, është që, nëse Sekretari i Shtetit mëson se faktet ishin të pavërteta, të pabesueshme apo nëse SHBA ka interesa të tjera, ai mund ta heqë këtë lloj ndalimi. A mund të hiqet? Po! A do të hiqet? Pothuajse jo! Pse? Sepse administrata amerikane, edhe kur gabon, zor se e pranon gabimin. Duhet të ketë interesa shumë të mëdha që të ndryshojë. Në lidhje me administratën e re, atje nuk është si në Shqipëri, që vjen një shef, i cili i përzë të gjithë punonjësit dhe merr ata të partisë së tij. Administrata amerikane është shumë e qendrueshme jo vetëm në personel, por është e qendrueshme edhe në politikat e jashtme. Kur formulohet një politikë, ajo qendron për disa administrata. Kështu që, edhe pse vjen Trump, nuk besoj se do të ketë ndryshim thelbësor në politikën e jashtme amerikane, kur bëhet fjalë për vende që s’kanë konflikte apo rëndësi.
Gazeta Si: Pak muaj para zgjedhjeve këtu në Shqipëri, mund të bëni një parashikim për rezultatin e tyre?
Neritan Sejamini: Është shumë herët, por ajo që mund të themi me siguri është se kemi Partinë Socialiste, e cila është tmerrësisht e organizuar, kontrollon të gjitha pushtetet, e cila e ka filluar fushatën zgjedhore. Zoti Rama ka gjetur edhe mesazhin, “Shqipëria gati për në BE në vitin 2030”. Pra, do t’u shesë shqiptarëve, edhe atyre që janë të pakënaqur me ekonominë, me krimin, me korrupsionin, ëndrrën se në vitin 2030 ne do të jemi anëtarë të BE-së. Kjo është një narrativë që ngjit. Nga ana tjetër, kemi një opozitë e cila është krejtësisht e papërgatitur, e cila Lufton edne për çështje që nuk janë elektorale, siç është arrestimi i drejtuesve të saj, me apo pa të drejtë nuk po e diskutoj, por këto janë çështje dytësore, përsa i përket fushatës zgjedhore dhe interest të njerëzve. Ka mungesë organizimi, nuk ka figura, nuk ka imazh. Pra, nga një anë kemi një pushtet të supermotivuar dhe ka nisur të punojë për fushatën. Nga ana tjetër kemi një opozitë që ka kaluar shumë probleme, është e fragmentuar, është e dobët dhe që s’po mendon për fushatën zgjedhore. Ajo që mund të them është se, nëse zgjedhjet do të ishin bërë sot, besoj se qeveria do t’i fitonte. Pas 6 muajsh ka kohë për shumë gjëra. Mund të ketë skandale, mund të ketë mobilizim të opozitës, mund të ketë figura të reja. Opozita duhet të kuptojë se ajo ka shumë gjëra në duart e veta dhe se fatin e saj e ka ajo në dorë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.