Gazeta Si – Shqipëra ka fituar edhe dy vende të tjera në klasifikimin e FIFA-s pas fitoreve të fundit të muajit tetor me Çekinë dhe Bullgarinë. Aktualisht kuqezinjtë janë në vendin e 60-të në klasifikim, nga vendi i 62-të që ishin muajin e kaluar, kur arritën të merrnim barazimin në Çeki dhe fitoren me Poloninë në stadiumin “Air Albania”.
Kishte 5 vite, që nga viti 2018, që kuqezinjtë nuk e shihnin këtë pozicion, duke rikuperuar shumë falë këtyre paraqitjeve në eliminatoret e Europianit.
Ndërkohë vazhdojnë pikiatën dy skuadrat e mëdha të grupit, që në fillim të eliminatoreve shiheshin si favoritet kryesore për vendin e parë dhe të dytë, Polonia që sot është në vendin e 4-t në grup dhe Çekia që aktualisht ndodhet në vendin e 2-të.
Çekia, pas humbjes në Tiranë dhe pavarësisht fitores në Pragë me Ishujt Faroe, sheh një humbje prej 4 pozicionesh në klasifikimin e përgjithshme të FIFA-s, duke rrëshkitur nga vendi i 37-të në të 41-in.
Polonia ka humbur edhe një pozicion pas 4 pozicioneve që humbi muajin e shkuar, duke zbritur nga vendi i 30-të në të 31-in.
Kosova ka rikuperuar plot 5 pozicione, duke përfituar nga fitorja me Andorrën dhe padyshim nga rezultatet e dobta të skuadrave që e rrethojnë në renditje. Nga vendi i 111-të, ‘Dardanët’ e shohin veten në vend të 106-të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.