Kombetarja

Fitore spektakolare e Shpresave, përmbysin Rumaninë me 3 gola dhe marrin kreun e grupit

Gazeta Si – Përmbysje spektakolare e Kombëtares U-21 në ‘Elbasan Arena’, nga 0-2 në 3-2 ndaj Rumanisë. Një fitore shumë e bukur kjo e Shpresave në një ndeshje të mbushur me emocione. Në fund kuqezinjtë e vegjël treguan vlerat, duke i nisur në mënyrën më të mirë kualifikueset e Euro 2025, me 6 pikë.

Skuadra e trajnerit Alban Bushi u ndëshkua me dy gola në fillimin e pjesës së dytë, me autorë Grameni dhe Munteanu. Megjithatë, kuqezinjtë gjetën forca dhe reaguan mjaft mirë. Kristian Shpendi, i futur në fushë si zëvendësues, shkurtoi diferencën në 1-2, i ndihmuar edhe nga një devijim. Më pas Medon Berisha barazoi shifrat me një ‘silurë’ nga jashtë zonës.

Për golin e 3-të dhe të fitores do të mendonte Adrion Pajaziti. Lojtari i Fulhemit realizoi 2 minuta para përfundimit të kohës së rregullt me një gjuajtje të saktë në zonë, pas pasimit të Shpendit. Një gol që kaloi në delir stolin kuqezi dhe tifozët e pranishëm në stadium.

Shqipëria U-21 kryeson Grupin E me 6 pikë të plota pas dy ndeshjeve të para. Pas fitores 1-2 në Armeni pak ditë më parë, vjen edhe ky sukses tjetër në ‘Elbasan Arena’. Kuqezinjtë janë në grup me Zvicrën, Rumaninë, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë