Futboll

Fitore për infarkt e Vllaznisë, edhe Josën e mposhtin emocionet

Gazeta Si – Ka shpërthyer në festë stadiumi ‘Loro Boriçi’ në kohën shtesë, teksa Herald Marku shënoi golin e fitores të Vllaznisë ndaj Kukësit. Ishte një ndeshje e mbushur me emocione dhe një fitore për infarkt e shkodranëve.

Koha shtesë ishte një dramë e vërtetë. Kur dukej se gjithçka do të mbyllej 1-1, në pak minuta ndodhën shumë gjëra. Vllaznia fitoi një penallti me brazilianin Kaina, por që më pas u anulua nga VAR-i, ndërsa sulmuesi u ndëshkua me karton të verdhë për simulim.

Festa e Vllaznise pas fitores. Gazeta Si, 28 gusht 2022

Peposhi pati rastin t’i jepte fitoren Kukësit, por gaboi përballë portierit Zogoviç, duke gjuajtur jashtë. Në sulmin tjetër Vllaznia gjeti golin trepikësh. Pas një pasimi nga e majta, Marku gjuajti saktë dhe ngriti peshë ‘Loro Boriçin’, duke i dhuruar fitoren e parë Vllaznisë.

Në këtë moment as trajneri Mirel Josa nuk mundi ta përmbante veten. Si kurrë më parë, ai u pa të vraponte i emocionuar për atë gol, që me siguri e ka çliruar jo pak.

Për Vllaznië shënoi Heriç në pjesën e parë, me një gjuajtje nga jashtë zonës. Në të dytën barazoi përkohësisht Zivkoviç dhe në shtesë Marku vulosi fitoren kuqeblu, 2-1. Kukësi mbetet në kuotën e një pike pas dy javësh.

Kryesojnë renditjen Bylisi, Tirana dhe Erzeni me nga 4 pikë. Egnatia është skuadra e vetme pa pikë deri tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë