Futboll

Fitore në frymën e fundit, Kukësi zhbllokohet në Gjirokastër

Një fitore e vuajtur, por shumë me vlerë në një pikë të rëndësishme të kampionatit dhe tashmë Kukësi shikon të afrohet akoma dhe më shumë me dy kryesuesit e Superligës. Skuadra e Armando Cungut ia ka dalë që të marrë tre pikë shumë të çmuara në transfertë përballë Luftëtarit në Gjirokastër. Në një ndeshje të barabartë dhe të luftuar nga fillimi në fund, u desh një episod në minutën e 88’ që Et’hemi t’u jepte këtë fitore verilindorëve.

Si skuadra vendase, të parët që morën iniciativën për të sulmuar ishin lojtarët e Luftëtarit, që me Shkurtajn i shkuan disa herë afër golit. Por nuk vonoi shumë përgjigja e Kukësit nga ana tjetër, por Rexhinaldo me shokë nuk e kanë saktësinë e duhur për të tundur rrjetën. Me aksione nga të dyja krahët, loja në 45 minutat e para është e bukur për tu parë. Të dyja skuadrat luajnë shpejt dhe duan të shënojnë, por nuk ia dalin dot dhe drejt dhomave të zhveshjes Luftëtari dhe Kukësi shkuan në barazim pa gola.

Në fraksionin e dytë të lojës, është sërish Luftëtari ai që është më i guximshëm dhe i afrohet më shumë portës kundërshtare. Por nuk vonoi shumë dhe erdhi edhe reagimi i Kukësit. Por gjithsesi goli sërish do të mungonte. Luftëtari që prej minutës se 49’ luante me një lojtarë më pak dhe sa më shumë kalonin minutat ndjehej supermacia numerike e verilindorëve.

Kukësi në minutat e fundit e rriti ndjeshëm presionin dhe në minutën e 88’ do të vinte goli i shumë kërkuar. Do të ishte Valon Et’hemi që pas një inkursioni personal shkakton rrëmujë tek mbrojtësit e Luftëtarit me triblime dhe më pas e çon topin në rrjetë. Nuk ka më kohë për Luftëtarin që të reagojë edhe pse gjirokastritët i bëjnë disa përpjekje.

Në fund gjithçka mbyllet 0-1 në favor të miqve që marrin kështu tre pikë të rëndësishme dhe ngjiten në vendin e vendin e tretë me 27 pikë në total, vetëm 7 më pak se Partizani kryesues. Sakaq Luftëtari vijon të notojë në ujëra të ftohta dhe ka vetëm 13 pikë, duke u renditur në vendin e 7.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë