Futboll

Fitore drithëruese, “Interi i çmendur” mposht Napolin

Nga ai zhgënjim i madh, kur barazohesh në minutën e 90’ nga skuadra e vendit të fundit, tek gëzimi që mposht në të njëjtën mënyrë ekipin e dytë më të mirë në renditje. Kjo është ajo që ka ndodhur më Interin në këto 4 ditë. Skuadra zikaltër këtë të mërkurë futbolli ka mposhtur Napolin në shifrat 1-0 në stadiumin “Giuseppe Meazza”. Ndeshja e fundit e vlefshme për javën e 18-të të Serisë A për asnjë moment nuk është ndalur dhe të dyja ekipet tentuan ta fitojnë, por ishte Inter ai që doli të buzëqeshur.

Me ritëm dhe një traversë që në sekondën e tretë, kështu do të fillonte kjo përballje mes vendit të dytë dhe të tretë të Serie A deri në këto momente. Napoli mban topin dhe ushtronte presion në çdo cep të fushës, por edhe Inter nga ana tjetër kundërpërgjigjet me kundërsulme të rrezikshme. Rastet e rrezikshme të vërteta do të mungonin edhe pse të dyja skuadrat tentuan t’i afrohen golit.

Me pjesën e parë që u mbyll në rrjeta të paprekura, në 45 minutat e dyta skuadrat hyjnë në fushë disi më të kujdesshme. Si Ançeloti ashtu edhe Spaleti i vonuan shumë ndërrimet e tyre dhe kërkonin të merrnin maksimumin nga lojtarët që kishin hedhur në fushë. Napoli do të kishte disa raste të pastra për gol, por gjuajtjeve të Kajehon apo Insinje iu është përgjigjur gardiani zikaltër, Samir Handanoviç. Në minutat e fundit, teksa Napoli mbeti me një lojtarë më pak pas daljes me të kuqe të Kulibali, loja u bë akoma dhe më e “zjarrtë”. Inter provoi më të gjitha forcat për të shënuar, ndërsa Napoli u mbrojt fortë. Nga një kundërsulm i napolitanëve erdhi rasti më flagrant i ndeshjes në minutën e 89’, por Asamoa ishte në vijën fatale, duke e larguar topin dhe shpëtoi kështu Interin nga disfata.

https://twitter.com/Onur25511117/status/1078050262407938048

“Kur nuk shënon, e pëson”, është një ligj i pashkruar në futboll, që në ndeshje të kësaj rëndësie futet gjithmonë në veprim. Nga momenti delikat që Asamoa shpëtoi portën, Inter do të krijonte aksionin e golit të avantazhit. Do të ishte talenti argjentinas, Lautaro Martinez që me një qetësi absolute çoi topin në rrjetë, për t’i dhënë kështu skuadrës zikaltër një trepikësh me shumë peshë. Tashmë Inter është vetëm 5 pikë më pak se Napoli, që mban vendin e dytë me 9 pikë më pak se Juventusi kryesues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë