Futboll

Fiton Mbape, federata franceze dorëzohet për të drejtat e imazhit

Gazeta Si – Dhe në fund ka fituar Mbape. Sulmuesi ka konsoliduar fuqinë e tij në rritje si te PSG, ashtu edhe te kombëtarja franceze. Franca, kampione në fuqi e Botës, është dorëzuar, duke pranuar kërkesat e yllit të saj për të drejtat e imazhit.

Mbape kishte kërcënuar se nuk do të paraqitej për foton zyrtare, nëse nuk do të rishikoheshin marrëveshjet me sponsorët. E gjendur me ‘shpatulla pas murit’ dhe në presionin e disa skandaleve të ndryshme, federata franceze ka njoftuar për një reformë, që fillimisht donte ta bënte pas Botërorit të Katarit.

Kilian Mbape. Gazeta Si, 20 shtator 2022

Përplasja kishte nisur që në mars, kur Mbape refuzoi të merrte pjesë në promocionin e disa sponsorëve. Sulmuesi konteston përdorimin diskriminues të imazhit të tij kur shkon në grumbullim, duke bërë publicitet për kompani që prodhojnë pije pak të shëndetshme për fëmijët.

“Kam të drejtën ta di se për çfarë përdoret emri im”, – kishte shpjeguar në qershor Mbape gjatë konferencës për shtyp për rinovimin e kontratës me PSG-në. Një rinovim që konsolidoi influencën te klubi parisien, ku lojtari diskuton me presidentin Al Khelaifi strategjitë sportive.

Me federatën franceze lojtari po negocionte që në qershor, por pa përfundimin që dëshironte. Presidenti Noel Le Graet donte që ta shtynte gjithçka për në janar, pas Botërorit. Por kjo lëvizje nuk i pëlqeu sulmuesit, i cili bëri me dije se nuk do të dilte në foton zyrtare me kolegët.

Në këto kushte dhe në mes të skandaleve e polemikave që nuk u pëlqejnë sponsorëve, federata reagoi me një njoftim zyrtar: “Jemi gati të modifikojmë akordet me sponsorët, duke marrë në konsideratë shqetësimet legjitime të shprehura nga lojtarët”. Pra, fitoi Kilian Mbape.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë