Pas 10 ditësh trajtim të specializuar mjekësor në Turqi, Skënder Gega është rikthyer në atdhe. Me të mbërritur në Rinas, trajneri i skuadrës së Kukësit ka rrëfyer betejën me COVID-in, ku nuk ka fshehur emocionet për këtë situatë që ka kaluar:
COVID-19- “Ëndërr e keqe, nuk di ç’të them. S’ma merrte mendja që do kaloja Rinasin në karrige me rrota. Terapia në Turqi ishte efektive. Besova se gjërat do të shkonim mirë, por ky grip është i pabesë dhe gjërat ndryshuan brenda 3 ditëve. Nuk ma merrte mendja që do të kaloja Rinasin në karrocë me rrota. Për fat jam sot prapë këtu në shtëpi, për fat e kalova unë bashkë me familjen, sepse edhe ime shoqe ishte infektuar. Falë mbështetjes, kujdesit të mjekëve, ndihmës së Zotit u bënë gjërat mirë dhe jam i lumtur që jam në shtëpi”, deklaroi trajneri i Kukësit i cili ka falënderuar publikisht mjekun shqiptar Gersi Alisha i cili e ka ndjekur nga afër në klinikën në Turqi.

“Ishte një nga mjekët më të zotë për problemet që unë kisha, mushkëritë, infeksioni në gjak. Më ka qëndruar gjatë gjithë kohës shumë afër. Ka shumë emra, nuk dua t’i veçoj, por shqipja është diçka që të ngroh dhe e falenderoj nga zemra”, vijoi trajneri.

Skuadra- Nuk kam asnjë meritë te skuadra, falënderoj klubin, stafin për punën në këto javë. Falenderoj klubin, Safet Gjicin që ka qenë gjatë gjithë kohës në kontakt me mua. Jam i lumtur që është bërë progres në ekip. Kam pasur mbështetje nga komuniteti sportiv, presidentët e klubeve, presidenti i FSHF-së, politikanë nga të dy krahët, unë i kam miq dhe e shoh shumë njerëzore, nuk di si t’i falenderoj. Mbi të gjitha është pozitiviteti në momente të vështira. Mesazhi im është që jo vetëm kur të sëmuremi, por të përkrahim njëri-tjetrin pavarësisht gabimeve, fjala e mirë çon në progres.
Kthimi në fushë- Më mungon futbolli, ekipi; dua të kthehem sa më shpejt. Për fat të mirë mjekët u konsultuan dhe kanë parë një ndryshim drastik nga terapia, trupi është përgjigjur jashtëzakonisht mirë ndaj terapisë. Nuk shoh ndonjë gjë të rrezikshme, do të vazhdoj mjekimet, do të kem kujdes normal”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




