Treg

Fitimet e tregut të sigurimeve u rritën për të tretin vit radhazi në 2021-shin

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se rezultati financiar i tregut arriti vlerën e 1.12 miliardë Lekëve ose 9.3 milionë Eurove. Krahasuar me vitin e shkuar, fitimi i siguruesve shqiptarë është rritur me 7.9%.

 Sipas AMF, primet e shkruara bruto për vitin 2021 u rritën me 16%, ndërsa të ardhurat neto nga primet në total u rritën me 11.6%, krahasuar me një vit më parë.

Kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës raportuan fitim neto në vlerën e 992 milionë lekëve ose 8.2 milionë Eurove. Fitimi i tregut të Jo-Jetës u rrit me 12.5% krahasuar me vitin 2020.

Raporti i dëmeve neto (pa përfshirë pagesën e dëmeve nga risiguruesit) në raport me primet e fituara neto vitin e kaluar u rrit në 34.4%, nga 31.9% që kishte qenë një vit më parë.

Në vitin 2020, pjesa më e madhe e dëmeve ishin të lidhura me tërmetin e nëntorit 2019.

Ndërkohë, vitin e kaluar tregu iu kthye tendencave normale, ku dëmet u dominuan kryesisht nga sigurimet motorike, ndaj edhe pagesat neto të tyre nga kompanitë e sigurimeve u rritën.

Por, ndërsa shpenzuan më shumë për dëme, kompanitë e sigurimeve ulën disi shpenzimet e tjera të aktivitetit.

Kompanitë e sigurimit të Jetës pësuan rënie të fitimit neto për të dytin vit radhazi, në shumën e 129 milionë lekëve, 18.8% më pak krahasuar me vitin 2020. Ata janë prekur ndjeshëm nga rritja e vdekjeve që është regjistruar në periudhën pas pandemisë dhe efektet në dëme janë ndier sidomos vitin e kaluar.

Në fund të vitit të kaluar, kompanitë e sigurimeve zotëronin një kapital aksioner në vlerën e 13.6 miliardë Lekëve ose 112 milionë Eurove, në rritje me 7.5% krahasuar me një vit më parë. Rritja e fitimeve ka dhënë ndikimin kryesor në zgjerimin e kapitalit të tregut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë