Agjencia e vlerësimeve Fitch ka ulur dje vlerësimin e kredidhënies së Italisë në “BBB-“, veçse pakëz më mirë se obligacionet “junk” (që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë). Agjencia është shprehur se ky ç’vlerësim reflekton impaktin e pandemisë së koronavirusit në shtetin me ekonominë të tretë më të madhe në Europë.
Fitch pohon se nuk ka për ta riparë vlerësimin e Italisë gjer në korrik. Ndërkohë ky vlerësim i dobët nga Fitch është një tjetër goditje për Italinë, vendin që renditet i dyti në botë përsa i përket numrit të fataliteteve nga koronavirusi, krahas ekonomisë së tij shumë të ngadaltë e cila është duke vajtur në një reçesion të thellë.
Agjencia shprehet se Italia ka apeluar ndaj këtij vlerësimi të saj dhe duke respektuar politikat e udhëzimet e saj ka dhënë informacione shtesë që tregojnë për një vlerësim më të lartë se ai i dhënë nga ajo.

Me lajmin se Italisë i ishte ulur vlerësimi nga Fitch, nuk vonoi e ç’vlerësimi i euros ndaj dollarit ndonëse ishte i vogël në masë.
Agjencia parashikon se ekonomia italiane do të pësojë një tkurrje prej 8% këtë vit, e që rezulton njëlloj me projeksionin që kishte bërë një javë më parë vetë qeveria italiane, dhe se borxhi publik do të vete në 156% në raport me GDP-në krahasuar me 134.8% që ishte vitin e kaluar.
Rqaporti i Italisë së borxhit publik me GDP-në është i dyti më i madhi në eurozonë pas Greqisë.
Agjencia shprehet se sipas studimeve të saj borxhi i Italisë do të mund të stabilizohet në periudhën afatgjate. Gjithashtu sektori bankar, po sipas agjencisë Fitch, është përkeqësuar pas shokut të pësuar nga covid-19 ndryshe nga pritshmëritë e mëparshme që kishte agjencia për stabilizim të perfomancës së këtij sektori si dhe përmirësim të kualitetit të aktiveve të tij në 2020-ën.

Italia gjer më sot ka parë më shumë se 27,000 vdekje nga koronavirusi, e dyta pas ShBA-së.
Ministri i Ekonomisë Italiane zoti Roberto Gualtieri shprehet se Fitch nuk ka marrë në konsideratë vendimet e rëndësishme të marra nga BE-ja dhe Banka Qëndrore Europiane për të ndihmuar ekonominë e eurozonës dhe anëtarëve të saj.
Banka Qëndrore Europiane ka lançuar një program emergjence në kohën e pandemisë (i quajtur PEPP, Pandemic Emergency Purchase Programme) që ka ndihmuar në mos rritjen e kthimeve (ose ndryshe në terminologjinë angleze yields) të obligacioneve italiane dhe BE-ja ka rënë dakort për të ngritur një fond të përbashkët të quajtur “Fondi i Rimëkëmbjes” për të ndihmuar vendet e goditura më rëndë nga koronavirusi por që detajet e tij akoma nuk janë përcaktuar.
Defiçiti i buxhetit të Italisë do të pësojë rritje këtë vit me 10% të GDP-së, shprehet Fitch. E po këtë parashikim të ngjashëm ka pasur e qeveria e Romës ku sipas tyre defiçiti do jetë në 10.4% gjatë 2020-ës, duke reflektuar kështu tkurrjen e GDP-së dhe masat e stimujve të ndërmarra për të lehtësuar reçesionin e që vlejnë më shumë se 75 miliardë euro.
Në Itali masat e karantinimit janë ndërmarrë që prej 9 marsit por pritet qe ato të lehtësohen me ritme të ngadalta pas 4 majit.
Fitch vuri në dukje se pëlqyeshmëria e kryeminstrit Giuseppe Conte nga publiku është në nivele rekord dhe se kjo mbështetje është rritur gjatë kohës së emergjencës që po kalon vendi prej pandemisë. Por Fitch, gjithashtu ka ngritur pyetjen nëse vallë ky stabilitet politik do të vazhdojë.
“Ne besojmë se tensionet politike do të intensifikohen përgjatë kohës që masat e karantinimit do të lehtësohen dhe se fokusi politik do të zhvendoset drejt ekonomisë e mënyrës se si i është përgjigjur e tërë Europa kësaj krize”, shprehet Fitch.
Burimi: The New York Times
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje