Futboll

Fisnik Asllani, ekzekutuesi i nordikëve që afron dardanët me Playoff-in

Nga Gazeta Si – Bis dardan në “Ullevi Stadium” në Goteborg që i ngjit në kuotën e 7 pikëve pas 4 ndeshjeve duke i afruar më pranë me fazën Playoff në rrugën drejt Botërorit.

Mjaftoi një gol i Fisnik Asllanit (i pari me përfaqësuesen) në 32’ që Kosova të merrte 3 pikët e rradhës duke shtuar presionin mbi vendasit.

Ishte një aksion që e la topin vakant pas tentativës së Muriqit që gjeti në vendin e duhur sulmuesin e Hoffenheim në Bundesliga.

Në fundin e pjesës së parë, Avdullahu goditi shtyllën e majtë duke humbur mundësinë më të mirë për golin e dytë “Made in Hoffenheim”.

Në pjesën e dytë, Suedia e rriti presionin por dardanët iu rezistuan tentativave të vendasve për barazimin.

Herë nxitimi i tyre dhe shpesh ndërhyrjet e Muric bënë që rezultati të mos ndryshonte, madje as në minutën 4 shtesë kur Isak tentoi dëshpërimisht nga ajri, Muric nuk e lejoi barazimin.

Shtypi, specialistët dhe ish lojtarët e Suedisë kryqëzuan sërish Jon Dahl Tomasson duke e quajtur skuadrën e ndërtuar prej tij si më të dobtën në historinë e futbollit suedez.

Dëshpërim suedez në fushë dhe në stol

Klasifikimi në Gr. B
1. Zvicra 10 pikë
2. Kosova 7
3. Sllovenia 3
4. Suedia 1

Ndeshjet e ardhshme
15 Nëntor 2025, ora 20:45
Zvicër-Suedi
Slloveni-Kosovë

18 Nëntor 2025, ora 20:45
Suedi-Slloveni
Kosovë-Zvicër


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë