Teknologji dhe Inovacion

Fiskalizimi, për transaksionet me para në dorë zbatimi nis më shtator 2021

Pas fillimit të zbatimit të ligjit duhet të ndryshojnë pajisjet fiskale

Ligji për fiskalizimin  ‘Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit’” (I ndryshuar) hyn në fuqi më 1 shtator 2021 për transaksionet që zhvillohen me para në dorë.

Për pjesën tjetër nisja e zbatimit të ligjit në fjalë  nuk ndryshon, por nis më janar 2021.

Këtë e ka bërë me dije Ministrja e Financave Anila Denaj gjatë seancës së sotme (e mërkurë) në parlament, ku ka prezantuar edhe disa projektligje të tjera përfshi atë të buxhetit të shtetit.

“Në kushtet kur pandemia globale COVID-19 ka krijuar një situatë të vështirë ekonomike dhe sociale, si dhe në vijim të masave të tjera të ndërmarra gjatë kësaj periudhe nga qeveria shqiptare, me qëllim mbështetjen e biznesit, propozohet që për transaksionet me para në dorë afati i fillimit të efekteve të ligjit të shtyhet më 1 shtator 2021.”- u shpreh ministrja Denaj.

Kurse për projektligjin ‘Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar” i cili ka për qëllim rregullimin e funksionimit dhe mirëmbajtjes së pajisjeve fiskale ekzistuese deri në fillimin e efekteve të ligjit për fiskalizimin, ministrja sqaroi se lind e nevojshme që paralelisht, të bëhet një rregullim lidhur me funksionimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale ekzistuese.

Duke qenë se pajisjet fiskale ekzistuese rregullohen nga dispozitat e ligjit për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë, rregullimi i nevojshëm do të adresohet në dispozitat kalimtare e këtij ligji. Që do të thotë se me fillimin e zbatimit të ligjit, sipërmarrjet duhet të ndryshojnë pajisjet fiskale për t’ju përshtatur sistemit të ri.

Po ashtu përmes këtij projektligji është propozuar edhe heqja e masës së bllokimit të aktivitetit përpara afatit 30-ditor, nëse biznesi shlyen të plotë dënimin (tatim, kamatvonesë dhe gjobat), duke ardhur në ndihmë të bizneseve dhe duke shmangur ndërprerjen e aktivitetit për një periudhë 30-ditore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë