Politike

S’ka kandidatë për President as në raundin e dytë

Afati për Enkelejd Alibeajn dhe pjesën e deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike që e mbështesin që t’u dorëzojnë socialistëve të paktën një emër për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve për Presidentin u mbyll pa emra.

Procedurat përcaktojnë se kandidati duhej të dorëzonte dokumentacionin në Kuvend brenda orës 16:00 të së dielës, për t’u shqyrtuar nga Komisioni i Ligjeve paraditen e së hënës nëse përmbush kushtet e përcaktuara dhe hedhur në votim në seancën plenare të pasdites.

Gjatë negociatave me grupet parlamentare të opozitës, PS pranoi propozimin e Alibeajt që në dy raundet e mbetura ku kërkohet shumica e cilësuar prej 84 votash për të zgjedhur Presidentin propozimet të mbërrijnë vetëm nga opozita.

Pas djegies edhe të raundit të dytë, tashmë opozitës i ka mbetur në dispozicion vetëm raundi i tretë për të propozuar emra, pasi socialistët kanë paralajmëruar se në raundin e katërt do ta propozojnë vetë emrin.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të enjten, Enkelejd Alibeajt iu përgjigjën 26 deputetë të PD-së. Ata propozuan emrat e Rexhep Ukës, Halim Kosovës, Dashamir Shehit, Leka Zogut, Leonard Demit, Arben Çejkut, Dritan Demirajt dhe Visar Zhitit.

Që një kandidat të përfshihet zyrtarisht në garë i duhet mbështetja e të paktën 20 deputetëve. Grupi prej 26 deputetësh i Alibeajt duket se nuk gjeti dakordësinë që në morinë e kandidaturave të propozuara të mbështeste një emër, aq sa i mundësonin numrat.

Mundësia që kandidaturat e Alibeajt të mbështeteshin nga firmat e deputetëve të PS-së u shua pasditen e së premtes nga Taulant Balla. Kreu i grupit parlamentar socialist e bëri të qartë se propozimet duhet të vinin me firmat mbështetëse nga deputetët e opozitës.

Para kësaj deklarate, Enkelejd Alibeaj kishte thirrur mbledhjen e radhës të grupit parlamentar. Mbledhja u anulua dhe Alibeaj tha se edhe në raundin e dytë nuk do të propozoheshin kandidatura. Ai citoi pikën e dokumentit të rënë dakord me PS, sipas të cilës do të propozoheshin 4 emra me mbështetje të përbashkët.

“Që të kishte një emër do të duhej që ky emër të propozohej nga ne. Nga katër kandidatura do të përzgjidheshin dy siç donin ata dhe nga ata dy të zgjidhnin një dhe ai një të kishte nënshkrimet e përbashkëta ne do të kishim Presidentin e Republikës të të gjithë shqiptarëve”, tha Alibeaj.

Deklarata nënkupton se këtë refuzim të PS për të mbështetur kandidaturat e tij, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike mund ta interpretojë si shkelje të marrëveshjes së arritur në negociatat e fillimjavës mes palëve.

Sa për emrat që u propozuan nga grupi i PD, Alibeaj tha se ishin kandidatura që sfiduan mazhorancën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë