Futboll

“Firo” në radhët e Kosovës, Rrahmani largohet nga grumbullimi

Kosova pëson goditje të rëndë në prag të kualifikueseve të muajit mars. Kapiteni Amir Rrahmani është dëmtuar dhe nuk mund t’i ndihmojë “Dardanët” në miqësoren e sotme me Lituaninë, as në dy kualifikueset e “Katar 2022”, ndaj Suedisë (28 mars, në shtëpi) dhe Spanjës (31 mars, në transfertë). FFK, përmes faqes së saj zyrtare, e ka ndarë këtë lajm të keq për dashamirësit e kombëtares më të re në Ballkan:

“Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani është larguar nga kampi i Dardanëve, në pamundësi për të kontribuuar në tri ndeshjet e këtij muaji për shkak të lëndimit. Përkundër vullnetit dhe dëshirës së madhe që të riaftësohet për lojë, një gjë e tillë ishte e pamundur, prandaj Rrahmani do të kthehet në klubin e tij, Napoli, për të vazhduar me sanimin e lëndimit. Federata e Futbollit e Kosovës uron që Amiri sa më parë të rikthehet në fushën e gjelbër dhe të jetë në dispozicion të Kombëtares në sfidat e ardhshme”.

Ditën e djeshme, Federata e Futbollit të Kosovës, me një njoftim zyrtar, bëri të ditur se portieri Arijanet Muriç është përjashtuar nga grumbullimi për arsye disiplinore, por pa dhënë shpjegime se çfarë shkeljesh kishte bërë ai.

Arsyet është munduar t’i zbulojë shtypi kosovar dhe sipas “Koha.net”, Muriç ka shkuar në stërvitje në gjendje të dehur, madje e kishte të vështirë edhe të ruante ekuilibrin. Përveç kësaj, gjithmonë sipas “Koha.net”, portieri ka ofenduar shokët e ekipit dhe ka pasur një konfrontim fizik me Zhegrovën. Situata është rënduar dhe më pas ka ardhur menjëherë përjashtimi i Muriç nga grumbullimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë