Ilir Metaj thotë se nuk përbën asnjë shkelje ligjore fakti që ai ka firmosur dokumente shtetërore me mbiemrin ‘Meta’ dhe jo ‘Metaj’ siç rezulton i regjistruar në gjendjen civile.
“Jo, sepse duhet të keni parasysh që çdo dokument e firmë e titullarëve është e shoqëruar me vulë protokolli, vulë institucioni dhe 500 verifikime nga ana formale, që konfirmojnë në mënyrën më të qartë përgjegjshmërinë, apo autenticitetin e personit që ka bërë këtë”, deklaroi Metaj.
Kjo ishte gjysma e përgjigjes për pyetjen. Gjysmën tjetër ja kaloi për përgjigje Petrit Vasilit. Ky i fundit u ndal te Edi Rama.
“Pse ndaleni te kjo, ne kemi një rast shumë interesant dhe pak i investiguar. Kemi dekrete Presidenti për emërimin e ish-ministrit të Kulturës, Edi Rama dhe të zgjedhur si kryetar bashkie. Ju e dini që në 2002 Edi Rama e ka ndërruar emrin nga Edvin Kristaq Rama në Edi Rama. Ky është i vetmi njeri që kemi një problem shumë të madh ligjor. Është rasti më tipik Edi Rama dhe i provuar e zeza mbi të bardhë. Një njeri me identitet krejt tjetër ka mbajtur poste shumë të rëndësishme”, u shpreh Vasili.
Ndërkohë, Ilir Metaj iu shmang pyetjes nëse ka deklaruar të dy mbiemrat në formularin e dekriminalizimit të dorëzuar në KQZ.
“Unë kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë, Ilir Rexhep Metaj, i lindur më 24 mars në Çepan të Skraparit dhe nuk kam asnjë arsye që të mos jem krenar për emrin e mbiemrin tim”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.