Lojëra me Dore

Finalja që s’e pret, adoleshentet Fernandez e Radukanu diskutojnë trofeun e US Open

Mbrëmje surprizash në US Open. 19-vjeçarja kanadeze Leila Fernandez eliminon pas 3 setesh numrin 2 Sabalenka dhe shkon në finale, ashtu si dhe 18-vjeçarja britanike Ema Radukanu, e para në historinë e torneut që kualifikohet për në finale, falë fitores me dy sete ndaj Sakarit.

Një finale e rrallë kjo e këtij viti për femrat në US Open, ku trofeun do ta diskutojnë dy adoleshente. Fernandez mundi pas 3 setesh shumë të luftuara numrin 2 të tabelës, Arina Sabalenkën, 7-6, 4-6 dhe 6-4. E pabesueshme paraqitja e kanadezes, që bëhet kështu tenistja më e re në moshë që eliminon tre kundërshtare nga “top 10”, Osakën, Svitolinën dhe Sabalenkën, në një turne Slam.

Leila Fernandez, 19 vjeç. Gazeta Si, 10 shtator 2021

Fernandez arriti të administronte në mënyrën më të mirë të gjitha momentet delikate të ndeshjes, me karakter dhe përqendrim, cilësi që i munguan Sabalenkës, e cila hasi vështirësitë e zakonshme mentale për të kaluar situatat e komplikuara. Bjellorusja bëri disa gabime banale, si ai në rezultatin 6-5, që vlente “set point”-in.

Nuk ishte më poshtë se Fernandez britanikja Ema Radukanu, e para teniste në historinë e torneut që shkon në finale pa humbur asnjë set. Edhe në këtë rast, meritat e fitueses kanë të bëjnë me anën mentale, por edhe me taktikën e Sakarit, që e lejuan rivalen të fitonte besimin e nevojshëm për të bërë goditjen e duhur.

Ema Radukanu, 18 vjeç. Gazeta Si, 10 shtator 2021

Ndeshja ishte e gjitha në duart e Radukanut, e cila e vuri menjëherë në presion Sakarin, duke bërë që grekja të bënte gabime të pafalshme. Pas 37 minutash, seti ishte në dorë të britanikes. Grekja vuajti edhe në setin e dytë, ku Radukanu luajti sikur të kishte eksperiencën e një veteraneje. Ëndrra e finales për të është bërë një realitet fantastik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë