Për të tretën herë brenda pak ditësh, trajneri Edi Reja dhe kapiteni Etrit Berisha kanë dalë në konferencë shtypi, por kjo e sotmja është më e rëndësishmja. Ata kanë folur për ndeshjen e rëndësishme me Bjellorusinë, ku Shqipërisë i bën punë vetëm fitorja për vendin e parë. Trajneri Reja ka pohuar se ndryshimet në formacion për ndeshjen e nesërme do të jenë të pakta.
“Fitorja me Kazakistanin ishte i rëndësishme, ndërsa gabimet që bëmë i kemi analizuar. Duam të përmirësojmë çdo gjë ndeshje pas ndeshjeje. Gjithmonë jemi detyruar të ndryshojmë formacionin, megjithatë kemi krijuar një koncept loje. Kemi shanse për vendin e parë, nëse mundim Bjellorusinë. Do përpiqemi të eliminojmë çdo gabim në këtë ndeshje shumë të rëndësishme.
Nuk kemi Abrashin të skualifikuar, mund ta zëvendësojë Laçi. Nuk do bëj ndryshime të mëdha. Mbrojtja është po ajo, presin të shohim si do rrjedhin ngjarjet për mesfushën, pasi edhe Gjasula ka pasur një problem. Nesër do të vendosim përfundimisht. Është si një finale, por duhet të jemi të qetë, të luajmë me siguri. Presioni është pjesë e futbollit, megjithatë jam i bindur se do të bëjmë një ndeshje të mirë. Duhet të kemi ekuilibër deri në minutën e 90-të.
Bjellorusia luan me shumë forca prapa dhe është e shpejtë në kundërsulm. Ne krijuam raste me Kazakistanin që nuk i shfrytëzuam, ndaj thashë se nuk isha shumë i kënaqur me lojën pas asaj ndeshjeje. Edhe terreni na ka krijuar vështirësi, sepse topi nuk vjen ashtu siç duhet dhe aksioni ngadalësohet. Rezultati është thelbësor ndaj Bjellorusisë dhe ne i kemi mundësitë ta arrijmë, por duhet të përdorim kokën.
Sulmi? Me shumë mundësi do të jetë i njëjtë si me Kazakistanin. Kam provuar si Cikalleshin, ashtu edhe Balajn, janë lojtar të ngjashëm. Preferoj një sulmues që të sulmojë portën dhe një që të tërhiqet. Kur luan me 2 sulmues, ata nuk mund të jenë të ngjashëm. Është trajneri ai që bën zgjedhjet. Mesfusha është boshti i lojës, është filtri. Nuk duhet të mendojnë vetëm të mbrohemi”, – theksoi trajneri Reja.

Italiani dha një mendim për të rinjtë e aktivizuar në ndeshjet e fundit dhe të ardhmen e tij: “Lojtarët e rinj kanë treguar karakter, edhe pse kanë luajtur për herë të parë në Kombëtare. Nuk kemi punuar vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen. Përveç Brojës, kemi edhe Kallakun, një lojtar interesant. Broja nuk bëri asnjëherë stërvitje gjatë gjithë javës, ndaj dhe u largua.
E ardhmja ime? Kam një kontratë me FSHF-në, i kam gjërat e qarta. Jam këtu për të dhëna maksimumin, më pas është federata ajo që do të nxjerrë konkluzionet. Një ndeshje nuk mund të jetë vendimtare për të dalë në konkluzion të gjithë sezonit”.
Trajneri Reja komentoi edhe golin e pësuar ndaj Kazakistanit: “Duhet ti japim meritat futbollistit të Kazakistanit, që pati edhe fat. Berisha do të përpiqet ta rikuperojë gabimin. Zakonisht, gabimet e portierëve komentohen së shumti, por Berisha është i fortë në aspektin e karakterit. Gabime bëhen, nuk duhet komentuar 100 herë kjo gjë. Janë raste të rralla, ku 80% të meritave i merr lojtari. Asnjë nuk e kuptoi çfarë ndodhi në atë rast, topi mori një trajektore te çuditshme”.
Ndeshjen e parë të luajtur në Bjellorusi kuqezinjtë e kanë fituar me rezultatin 0-2, me gola të shënuar nga Sokol Cikalleshi dhe Keidi Bare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




