Gazeta Si – Finalja e Ligës së Konferencës në Tiranë është bërë çështje për shkak të biletave. Klubet janë vënë në vështirësi, sepse numri i biletave në dispozicion ka qenë i paktë. Roma dhe Fejnordi janë në hall edhe për familjarët e lojtarëve.
Trajneri Mourinjo tha së fundi se klubi po bën gjithçka për të krijuar kushtet më të mira për lojtarët për mbërritjen në Tiranë. Kjo do të thotë se po kujdeset edhe për logjistikën e nevojshme për familjarët e lojtarëve.

Nuk do të jenë të shumtë të ftuarit e dy klubeve finaliste, si për Romën, ashtu edhe për Fejenordin. Organizimi për në Tiranë është i ngjashëm në Itali dhe në Holandë.
Nga Roma do të niset mëngjesin e ditës së ndeshjes një çarter, që do të ketë në bord familjarët e lojtarëve dhe të afërm të tyre. Të gjithë do të shoqërohen në udhëtim nga personeli i klubit, në mënyrë që të shkojnë qetësisht në stadium.
Familjarët do të vendosen në një pjesë të dedikuar të stadiumit dhe do të kthehen në Romë menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare.
Të njëjtën gjë do të bëjë edhe klubi i Fejnordit me familjarët e lojtarëve. Edhe ata do të udhëtojnë ditën e ndeshjes për në Tiranë dhe do të pushojnë në një hotel para se të shkojnë në stadium. Gjithë kohën të shoqëruar nga personeli i klubit.
Fillimisht ishte menduar për udhëtimin një ditë para finales, por për arsye sigurie dhe komoditeti, të dyja palët zgjodhën ditën e finales. Të dy trajnerët do të kenë në Tiranë familjet e tyre. Po ashtu edhe pjesëtarët e tjerë të stafeve.
Edhe në këtë rast biletat në dispozicion nuk janë të mjaftueshme. Bëhet fjalë për rreth 100 bileta për secilën skuadër, jo më shumë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




