Futboll

Finalja e paparashikueshme e një Botërori të paparashikueshëm

Franca bënte pjesë në listën e skuadrave pretendente për të fituar Botërorin rus, por askush nuk e priste që në finale do të kishte një skuadër si Kroacia.

Nisur nga përbërja, sidomos në mesfushë ku ka emra si Rakitiç dhe Modriç, kroatët parashikoheshin që të bënin mirë në këtë kompeticion, por që të shkonin kaq larg as tifozi më optimist i tyre nuk e kishte menduar.

Finalja e madhe në “Luzhniki Stadium” është e treta në historinë e francezëve dhe e para për Kroacinë, që e sheh edhe si “hakmarrje” ndaj "Gjelave" 20 vite më vonë për atë humbje në gjysmëfinalen e vitit 1998.

Didier Deschamps shpreson që të ngrejë trofeun e dytë për Francën, duke u bërë njeriu i tretë që e ngre një kupë bote si lojtar dhe si trajner.

Përballë ka Zlatko Daliç. Ka vetëm 9 muaj që ka marrë drejtimin e kombëtares së vendit të tij dhe suksesi është i jashtëzakonshëm dhe vetëm 90, ose 120 minuta larg përjetësimit si historik.

Në renditjen e zakonshme të FIFA-s për skuadrat kombëtare, Kroacia është skuadra më pozicionimin më të ulët që arrin në një finale botërori dhe e 13 në total që e realizon këtë.

Në Francë e dinë që janë favoritë, por entuziazmi i lartë mungon. Arsyet janë të thjeshta. Vetëm dy vite më parë, francezët organizonin në shtëpi Europianin historik edhe për shqiptarët. Ja dolën që të shkonin në finale ku gjetën përballë Portugalinë.

Para se të luhej ajo finale, në vend ekzistonte një atmosferë entuziazmi dhe festive, sikur kompeticioni kishte përfunduar dhe Franca ishte shpallur kampione. Në fund ishin portugezët ata që ngritën trofeun. Kujtimi është ende shumë i freskët dhe nga kjo ka dashur që të nxjerrë mësim Deschamps duke kërkuar përqendrim dhe të mos nënvlerësohet Kroacia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë