Futboll

Finalja e Ligës së Konferencës, zbulohen detajet e organizimit

Gazeta Si – Duhen edhe dy javë deri në finalen e Ligës së Konferencës, por atmosfera në Tiranë tashmë ka nisur të ndihet. Është eventi më i madh i organizuar ndonjëherë në vendin tonë dhe puna është vërtet shumë e madhe.

Drejtori i Marketingut në FSHF, Gazmend Malo, ka zbuluar disa nga detajet e axhendës së 25 majit, kur luhet finalja Roma-Fejnord dhe në Tiranë do të ketë një numër rekord tifozësh.

“Në Tiranë do të vijnë dy ekipe të mëdha europiane, ka rreth 3 muaj që flitet dhe logo ‘Tirana 2022’ është në mbarë botën, duke i bërë një PR unik kryeqytetit me kosto zero”, – ka theksuar fillimisht Malo.

Gazmend Malo, drejtor i marketingut ne FSHF. Gazeta Si, 11 maj 2022

Më tej ai ka bërë zbuluar disa detaje sa i takon stadiumit: ”Po bëhen 4-5 ndryshime të mëdha. Është zgjeruar tribuna e medias, pasi vetë eventi kërkon një numër të madh mediash. Në tribunat e miqve do reduktohet numri i tifozëve, për shkak të studiove televizive. Do të shtohen dy ekrane gjigante në stadium dhe do të krijohen dy shkallë në tribunën kryesore për të zbritur në fushë”.

Zyrtari i FSHF-së tregon edhe për organizimin që do të ketë Tirana ditën që do luhet finalja: “Rruga e Durrësit do të ketë sinjalistika për ekipet, ku do të shkojnë dhe orientimet e rastit. Sheshi ‘Skënderbej’ do ketë një organizim të veçantë, i quajtur ‘Fan Fest’. Të gjithë njerëzit mund të hyjnë, do ketë lojëra futbolli për të gjithë.

Futbolli do të jetë tema e ditës, do vijë trofeu i vërtetë, i ruajtur me seguri maksimale. Njerëzit mund të bëjnë foto, por nuk mund ta prekin. Bulevardi do bëhet jeshil. Veç sheshit ‘Skënderbej’ ka edhe dy pika, ku do organizohen dy tifozeritë e klubeve që vijnë në Tiranë, të quajtura ‘Fan Meeting Point’.

Çdo tifozeri ka grupimet e veta dhe është menduar si do të drejtohen për të shkuar në pikat e tyre të takimit, përmes ekraneve dhe tabelave. Një pikë do jetë te Pedonalja në Tiranë, ndërsa pika tjetër te diga e liqenit. Janë pika të afërta me stadiumin.

Do të ketë një darkë gala sa i përket protokollit zyrtar të ndeshjes. Kjo darkë do të zhvillohet në Teatrin e Operas dhe Baletit, me një lloj skenografie që nuk është bërë kurrë në Shqipëri. Darka do të zhvillohet në skenë, ku do të jenë drejtuesit e UEFA-s dhe Federatës, kryeministri, kryetari i bashkisë etj”.

Në fund edhe çështja e sigurisë: “Ka pasur trajnime të forcave të sigurisë që do jenë brenda perimetrit të stadiumit dhe do të ketë 650 stjuardë minimumi në stadium. Jashtë stadiumit do të ketë të paktën 1500 forca policore, që do të garantojë rendin.

Pra, janë mbi 2100 forca që do të garantojnë sigurinë më 25 maj, kur luhet finalja. Do të jenë edhe të paktën 400 vullnetarë si forca ndihmuese në nivel orientimi”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë