Gazeta Si – Po afron finalja e Ligës së Konferencës, e para e këtij kompeticioni dhe që UEFA ka zgjedhur të zhvillojë në Tiranë, më 25 maj. Shqipëria për herë të parë do të presë një event të tillë futbolli. Stadiumi “Air Albania” dhe Tirana do të jenë në qendër të futbollit europian pas disa javësh.
UEFA dhe Federata Shqiptare e Futbollit po merren me organizimin e kësaj finaleje, ndërkohë që ka interes të madh nga tifozët për të qenë në Tiranë më 25 maj. Po si mund ta ma sigurosh një biletë për në finalen e Ligës së Konferencës?

Ende nuk ka një datë të saktë për nisjen e shitjes së biletave, ndërsa FSHF-ja ka sqaruar se tifozët e interesuar mund të regjistrohen në linkun ‘https://europaconferenceleague-sales.tickets.uefa.com’, duke krijuar një llogari personale. Më pas, personat e përzgjedhur nga UEFA do të ndjekin hapat e mëtejshëm për t’u pajisur me biletë.
Natyrisht, më të interesuarit janë tifozët e 4 skuadrave gjysmëfinaliste, Romës, Leiçesterit, Olimpikut të Marsejës dhe Fejnordit. Por biletat nuk janë vetëm për ta, UEFA ka rezervuar bileta edhe për futbolldashësit e tjerë, por kuptohet, në një numër të reduktuar. Një përplasje mes Romës dhe Olimpikut të Marsejës do të ishte interesante për këtë finale të parë të Ligës së Konferencës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




