Futboll

Finalja e Champions League, Duka zbulon detajet e UEFA

Champions League pritet të rifillojë në muajin gusht, por ka ende shumë paqartësi rreth vijimit të këtij sezoni. Katër skuadra janë kualifikuar në çerekfinale dhe pritet të mësohen katër skuadrat e tjera. Ndeshjet e mbetura mund të luhen në një vend, teksa Stambolli dhe Lisbona janë alternativat.

Për këtë argument ka folur edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili për “Radio Punto Nuovo” është shprehur: “Jam shumë i kënaqur që futbolli italian rikthehet sot me një ndeshje shumë interesante: Juventus-Milan. Shpresoj që të përfundojë kampionati, rregullat në Itali janë pak të rrepta, por shpresojmë që ky sezon të përfundojë.

Final 8 në Lisbonë? E kam lexuar lajmin në gazeta, por nuk është marrë asnjë vendim deri tani. Grupet e punës po merren me këtë gjë dhe vendimi zyrtar do të merret më datë 17 qershor. Nuk e di nëse do të luhet Champions League në Lisbonë, ka diskutime të ndryshme për këtë temë. Një prej tyre është e ardhmja e këtij kompeticioni: po mendojmë të luhet një ndeshje teke, jo më dy për t’u kualifikuar më tej. Ende nuk ka asgjë zyrtare. Gushti do të jetë muaji i Champions League, gjithashtu ai i eliminatoreve për sezonin e ardhshëm. Ndoshta mund të luhen ndeshje teke, kështu mund të ndodhë edhe në Europa League.

Riformatimi i Champions League? Parashikohet një ndryshim për kualifikueset e radhës. Mund të zhvillohet një ndeshje teke nga faza çerekfinale e më tej. Do të diskutohet gjithçka më 17 qershor, veçanërisht se si do të përfundojnë kompeticionet e këtij viti“, përfundon Duka

Duka është pjesëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe sigurisht që ka informacion të saktë në lidhje me planet e institucionit që drejton futbollin europian. Champions League nuk ka mbyllur ende fazën e 1/8-ve, por UEFA ka vendosur që në situatën e pandemisë përparësi të kenë kampionatet kombëtare dhe pastaj kompeticionet ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë