Futboll

Finalja e 25 majit, Duka siguron për një mbrëmje të paharrueshme në Tiranë

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama reagoi i pari pas përcaktimit të dy skuadrave finaliste të Ligës së Konferencës, që zhvillohet më 25 maj në Tiranë. Me një postim në faqen e tij zyrtare, Rama vlerësoi faktin e ndryshimit të imazhit të Shqipërisë, që tashmë mund të organizojë një event të këtyre përmasave, diçka e paimagjinueshme më parë.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, shkroi një ditë më pas. Edhe ai vlerëson këtë arritje të madhe të institucionit që drejton, ndërkohë që ka garantuar se finalja e 25 majit do të jetë e paharrueshme.

Roma-Fejnord, finalja e 25 majit ne Tirane. Gazeta Si, 6 maj 2022

“Dita historike po vjen, Roma&Feyenoord do e bëjnë të paharrueshme finalen e Tiranës. Kush do ta fitojë për herë të parë këtë Kupë? Do të vendoset në tapetin e Arenës tonë të mrekullueshme. Një ide e ҫmendur në fillimet e saj por pas një pune voluminoze disa vjeҫare të administratës së FSHF-së ja dolëm ta mirëpresim në Shqipëri.

Dua t’i falenderoj ata që na besuan në iniciativën tonë, Komitetin Ekzekutiv dhe administratën e UEFA-s, por edhe ata që na mbështetën pa kursim, ashtu si edhe të gjitha institucionet e vendit. Kemi investuar të gjithë energjitë tona për një organizim perfekt për këdo që do të jetë në Shqipëri dhe jam i bindur se do të kaloni orë e ditë të mrekullueshme në vendin që Mikpritjen e ka të shenjuar në traditën e tij.

I siguroj miqtë tanë se Federata e Futbollit do ja shpërblejë besimin e dhënë duke e bërë të paharrueshme këtë finale historike”, – ka shkruar Duka.

Deri më 25 maj, finalja e Ligës së Konferencës do të jetë në qendër të vëmendjes jo vetëm të shtypit sportiv. Është vërtet një event shumë i rëndësishëm sportiv dhe një reklamë shumë e mirë për vendin tonë, nëse vërtet gjithçka shkon mirë sa i takon organizimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë