Ngjarje

Finalja / 24 ekipe të urgjencës, 8 brenda stadiumit ‘Air Albania’, 3 spitale në gatishmëri

Në prag të ndeshjes finale të UEFA Conference League, mes ekipit italian të Romës dhe ekipit hollandez të Feynord, që do të zhvillohet nesër në Tiranë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka parë nga afër planin e masave të përgatitur për situatën shëndetësore.

“Masat janë marrë që përpos 9 autoambulancave që do të jenë në postacionet fikse, janë edhe 7 autoambulanca të tjera shtesë, të cilat janë në qarkullim. Pra emergjencat shëndetësore në Tiranë do të përballohen me kapacitete të shtuara, sepse gatishmëria do të jetë e shtuar. Nga ana tjetër, edhe ekipet mjekësore, të cilat do të vendosen në stadium. Janë 8 ekipe që janë përgatitur me mjekë, infermierë që do të jenë brenda në stadium. Gjithashtu edhe autoambulancat jashtë stadiumit, të cilat kanë mundësi që të transportojnë, në rastet që mund të ketë ndonjë emergjencë shëndetësore”, tha Manastiriu.


Përveç autoambulancave të Urgjencës Kombëtare, Manastirliu bëri me dije se edhe tre spitalet universitare në Tiranë do të jenë në gatishmëri të shtuar me shtretër të dedikuara.
“E rëndësishme është që spitalet janë bërë gati. Qoftë spitali i Traumës që tashmë ka vënë një pavion me kapacitete të dedikuara. Po ashtu QSUT me pavionin e toksologjisë edhe me shërbime të tjera, të dedikuara për të ofruar shërbim. Gjithashtu edhe në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku ka pavione të dedikuara.


Për natën finale janë përcaktuar edhe zonat ku do të grumbullohen tifozat e ndryshëm. Manastirliu tha se edhe aty do të ketë autoambulanca për të qenë në gatishmëri në çdo moment.
“Plani është i qartë edhe për Fan Zone. Edhe aty është bërë një organizim. Qoftë në afërsi të liqenit, qoftë tek rruga “Murat Toptani” dhe qoftë në Sheshin “Skënderbej” do të kemi autoambulanca të shtuara”, shtoi më tej Manastirliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë