Ka ndodhur

Filmoi trupin e pajetë të Erald Novruzit në ambulancë, arrestohet shoferi 62-vjeçar në Vlorë

Gazeta Si – Shoferi i ambulancës së morgut që transportoi trupin e pajetë të Eraldo Novruzit nga zona mes Gjipesë e Vunoit në morgun e Vlorës, është arrestuar.

Pavarësisht tronditjes dhe hidhërimit për një ngjarje të tillë kaq të rëndë, duket se 62-vjeçari me iniciale A.I., ka dashur të përfitojë.

Policia thotë se gjatë transportimit për në morgun e Vlorës të trupit të pajetë të  31-vjeçarit, pasi u gjet nga forcat policore, shoferi i ambulancës e ka filmuar me celular për t’ua dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin.

Për këtë arsye ai është vënë në pranga për “zbulim të akteve dhe të dhënave sekrete”.

“Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi hetimor për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së shtetasit Eraldo Nevruzi, grupi hetimor ka marrë informacion se shoferi i autoambulancës që po transportonte për në morgun e Vlorës trupin e shtetasit Eraldo Nevruzi, i cili u vra me armë zjarri nga shtetasi Gerald Shehu, kishte filmuar me aparat celular trupin e pajetë për t’ua dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin. Bazuar në këtë informacion, shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut, i është bërë këqyrja e aparatit celular nga grupi hetimor, ku i janë gjetur pamjet filmike të trupit të shtetasit Eraldo Nevruzi, të cilat ua kishte dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin. Në vijim të veprimeve, u bë ndalimi i shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut Vlorë, për veprën penale “Zbulimi i akteve dhe të dhënave sekrete””, njoftoi policia.

Ndërkohë Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, falënderon mediat që nuk pranuan të publikonin videon e dërguar nga ky shtetas të trupit të pajetë të Eraldo Nevruzit. Erald Novruzi u vra nga Gerald Shehu dhe më pas trupin e tij e hodhi në zonën e Gjipesë.

Ai tentoi të largohej drejt Anglisë nga Korfuzi, por u arrestua nga autoritetet greke. Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar edhe 2 punonjës të hotelit, të cilët dyshohet se ndihmuan autorin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë