Filma

Filmi ‘Përrallë nga e kaluara’, në ‘Festival Lumiere’ në Francë

“Përrallë nga e kaluara” një nga filmat më të bukur shqiptar do të shfaqet muajin që vjen në Francë.

Filmi me regji nga Dhimitër Anagnosti prodhim i vitit 1987 në vendin tonë është përzgjedhur të jetë pjesë e seksionit Treasures & Curiosities i festivalit të filmit klasik, “Festival Lumiere”, në Lion, Francë, pikërisht në vendin ku lindi kinematografia.

Pjesëmarrja e filmit shqiptar në këtë festival bëhet me dije nga Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit ( AQSHF). Arkivi shprehet se një tjetër thesar i trashëgimisë filmike shqiptare prek audiencat europiane falë restaurimit.

“Ashtu si filmi 'Tana', i cili u shfaq në të njëjtin festival në vitin 2022, edhe filmi 'Përrallë nga e kaluara' do të mbajë tashmë logon Lumiere Classics, një logo prestigjioze që promovon restaurimet më të mira të kohëve të fundit dhe mundëson (ri)zbulimin e tyre nga një audiencë gjithnjë e më e gjerë”, thuhet nga Arkivi i Filmit në faqen e tij.

Për këtë përzgjedhje të filmit “Përrallë nga e kaluara” me regji të Anagnostit ka shkruar në rrjete sociale edhe ministrja e Kulturës Elva Margariti.

"Një nga veprat më të bukura filmike, ku humori brilant i Çajupit bëhet bashkë me mjeshtërinë e Anagnostit i prezantohet publikut ndërkombëtar", shprehet Margariti.

Festivali i Filmit Lumiere është një festival vjetor filmi, që mbahet çdo tetor në Metropolis të Lyonit, Francë, që nga viti 2009.

Filmi dhe aktorët

“Përrallë nga e kaluara” është mbështetur mbi disa motive të veprës së Andon Zako Çajupit "14 vjeç dhëndër" dhe më pas skenari është zhvilluar si krijim origjinal i Dhimitër Anagnostit.

“Përrallë nga e kaluara” me skenar dhe regji nga Anagnosti është padyshim, një nga filmat ikonë të kinematografisë shqiptare si dhe një paraqitje, jo vetëm e artit kinematografik shqiptar por edhe e traditës, letërsisë, zakoneve, kostumografisë dhe muzikologjisë shqiptare.

Sipas materialeve që ka publikuar më parë AQSHF, filmi ishte fitues i çmimit "Aleksandër Moisiu" në vitin 1988 për skenarin. U nderua me çmimin e dytë në Festivalin e 8 të Filmit Artistik Shqiptar, 1990. Aktoret Hajrie Rondo dhe Elvira Diamanti u nderuan me çmimin e dytë dhe të tretë. Fiton çmimin e dytë në Festivalin Ndërkombëtar të filmit të Europës Lindore në Bondy, Francë 1990. Muzika e filmit është nga Limos Dizdari. Aktorët në role janë Admir Sorra, Elvira Diamanti, Robert Ndrenika, Hajrie Rondo, Xhevdet Feri, Xhemil Tagani, Mira Minga, Teli Stefani, Mimika Luca, Medi Malkaj, etj. Filmi tregon historinë e martesës së Gjinos 14-vjeçar me Marigonë 20-vjeçare. Marigoja hakmerret me të gjithë ata që sajuan këtë martesë të pazakontë dhe më në fund fiton dashurinë dhe jetën e saj. Dhimitër Anagnosti në karrierën e tij ka realizuar filma artistikë dhe dokumentarë, si dhe ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit finalizoi disa vite më parë projektin e restaurimit të filmit “Përrallë nga e kaluara”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë