Nga Gazeta Si - Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka njoftuar se kandidatura zyrtare e Shqipërisë për kategorinë “Filmi më i Mirë i Huaj”, në edicionin e 95-të të Academy of Motion Picture Arts and Sciences (çmimet Oscar) është filmi “Një Filxhan Kafe dhe Këpucë të Reja Veshur”.
Filmi ka skenarin dhe regjinë e Gentian Koçit dhe është prodhim i shtëpisë kinematografike “ARTALB FILM PRODUCTIONS”. Ky film është realizuar në bashkëprodhim me Maria & Mayer (Portugali), Graal Films (Greqi) dhe Added Value Films (Kosovë).
Filmi artistik “Një Filxhan Kafe dhe Këpucë të Reja Veshur” është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Radio-Televizioni Publik Shqiptar, Qendra Greke e Filmit, Televizioni Publik Grek, Qendra Kinematografike e Kosovës, Instituti Portugez i Kinemasë dhe Audiovizualit, Eurimages, Media-Creative Europe dhe Bashkia e Tiranës.
Komisioni përzgjedhës në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë përbëhej nga Eduart Makri kryetar i QKK dhe Vladimir Prifti, Genc Përmeti, Diana Çuli, Mirela Oktrova, Alert Çeloaliaj.
Kjo nuk është hera e parë që autori Gentian Koçi përfaqëson Shqipërinë në garën e çmimeve Oscars. Në vitin 2018 ai ishte kandidatura zyrtare e Shqipërisë me filmin e tij debutues me metrazh të gjatë, “Dita zë fill”. Filmi pati premierën edhe në Festivalin e Sarajevës, ku fitoi “Zemrën e Sarajevës” për aktoren më të mirë protagonist, Ornela Kapetani.
Filmi “Një Filxhan Kafe dhe Këpucë të Reja Veshur”, kandidatura e Shqipërisë për Oscar, u përzgjodh midis dy prodhimeve të tjera të këtij viti: “Njëri prej nesh” nga regjisori Ergys Meta dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, nga Fatmir Koçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.