Filma

Filmi i restauruar ‘Përrallë nga e kaluara’, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Francë

Për të dytin vit radhazi, kinematografia klasike shqiptare prezantohet para publikut europian në Festivalin prestigjioz ndërkombëtar të filmit FESTIVAL LUMIÈRE, në Lion, Francë, në qytetin ku lindi vetë kinematografia në fund të viteve 1800 nga Vëllezërit Lumière.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit bën të ditur se pas prezantimit të filmit të restauruar “Tana” në edicionin e vitit 2022, në Festivalin e sivjetshëm kuratorët kanë përzgjedhur filmin “Përrallë nga e kaluara” të regjisorit Dhimitër Anagnosti (1987) për t’u shfaqur në versionin e tij të restauruar në seksionin Thesare dhe Kuriozitete (Treasures & Curiosities).

Programi Thesare & Kuriozitete sjell 14 filma pak të njohur ose të harruar nga 13 vende të ndryshme të botës si: SHBA, Franca, Italia, Polonia, Shqipëria, Koreja e Jugut, Madagaskari, Portugalia, Zvicra, etj., duke i dhënë mundësinë publikut për t’u njohur me vepra të rëndësishme kinematografike ose për të (ri)zbuluar momente të historisë së filmave.

Festivali i filmit Lumière vlerëson arkivat e filmit anembanë botës për punën e tyre restauruese, e cila sjell në jetë kinemanë klasike. Të gjithë filmat e këtij seksioni mbajnë etiketën Lumière Classics.

Filmi “Përrallë nga e kaluara” do të ketë 2 shfaqje: Të premten, 20 tetor, ora 11.30 në Institutin Lumiere (Villa) dhe të shtunën, 21 tetor, ora 16.45 në Kinema Opera.

Restaurimi i këtij filmi u krye në vitin 2015 në studiot e Hungarian FilmLab në Budapest, financuar nga Ministria e Kulturës, një projekt i mbikëqyrur nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.

Restaurimi i filmave dhe titrimi i tyre në gjuhë të huaja janë në fokus të punës së AQSHF-së prej disa vitesh tashmë, me qëllim prezantimin e kinematografisë klasike shqiptare në botë, njohjen dhe studimin e trashëgimisë kombëtare filmike.

Filmi dhe aktorët

“Përrallë nga e kaluara” është mbështetur mbi disa motive të veprës së Andon Zako Çajupit "14 vjeç dhëndër" dhe më pas skenari është zhvilluar si krijim origjinal i Dhimitër Anagnostit.

“Përrallë nga e kaluara” me skenar dhe regji nga Anagnosti është padyshim, një nga filmat ikonë të kinematografisë shqiptare si dhe një paraqitje, jo vetëm e artit kinematografik shqiptar por edhe e traditës, letërsisë, zakoneve, kostumografisë dhe muzikologjisë shqiptare.

Sipas materialeve që ka publikuar më parë AQSHF, filmi ishte fitues i çmimit “Aleksandër Moisiu” në vitin 1988 për skenarin. U nderua me çmimin e dytë në Festivalin e 8 të Filmit Artistik Shqiptar, 1990. Aktoret Hajrie Rondo dhe Elvira Diamanti u nderuan me çmimin e dytë dhe të tretë. Fiton çmimin e dytë në Festivalin Ndërkombëtar të filmit të Europës Lindore në Bondy, Francë 1990. Muzika e filmit është nga Limos Dizdari. Aktorët në role janë Admir Sorra, Elvira Diamanti, Robert Ndrenika, Hajrie Rondo, Xhevdet Feri, Xhemil Tagani, Mira Minga, Teli Stefani, Mimika Luca, Medi Malkaj, etj. Filmi tregon historinë e martesës së Gjinos 14-vjeçar me Marigonë 20-vjeçare. Marigoja hakmerret me të gjithë ata që sajuan këtë martesë të pazakontë dhe më në fund fiton dashurinë dhe jetën e saj. Dhimitër Anagnosti në karrierën e tij ka realizuar filma artistikë dhe dokumentarë, si dhe ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit finalizoi disa vite më parë projektin e restaurimit të filmit “Përrallë nga e kaluara”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë