Gazeta “SI”- Cinema Paradiso është një nga filmat italianë më të bukur të të gjitha kohërave, i cili ka fituar pothuajse të gjitha çmimet e mundshme, nga Oscar, Golden Globe deri te Festivali i Kanës.
Por çfarë lidhjeje ka ky film me arbëreshët?
Aktorët nuk janë arbëreshë, por filmi është xhiruar në Palazzo Adriano, një komunë arbëreshe pranë Sicilisë. Arbëreshi Franco Calima e ka shpjeguar këtë lidhje në rrjetin e tij social Facebook, duke treguar se si ky fshat u bë pjesë e pandashme e historisë së filmit.

Filmi rrëfen historinë e Totos dhe Alfredos, ndërkohë që një nga boshtet kryesore të tij është dashuria mes Totos dhe Elenës. Ai është xhiruar në Palazzo Adriano, me regji të Giuseppe Tornatores dhe me muzikë të pavdekshme nga Ennio Morricone.

Nëse e vizitojmë sot Palazzo Adrianon, aty do të gjejmë ende të gjithë skenografinë e filmit. Duke filluar nga sheshi me shatërvanin në mes, i cili gjatë xhirimeve u përshtat si një nga skenat më ikonike të filmit. Ky shesh është edhe sot qendra e fshatit, me dy kishat që përfshihen në film: një kishë bizantine dhe një kishë latine.
Në fshat ndodhet gjithashtu edhe Muzeu i filmit “Cinema Paradiso”. Nëse hyn në këtë muze, në fakt hyn brenda vetë filmit. Aty gjenden biçikleta e Alfredos, projektori me të cilin shfaqeshin filmat në kinemanë Paradiso, si dhe shumë objekte dhe fotografi origjinale nga seti i xhirimit.

Nëse shëtisim nëpër fshat, gjejmë edhe shtëpinë e Alfredos dhe shtëpinë e Totos, i cili është protagonisti i filmit.
Kështu, ky fshat arbëresh u shndërrua në skenën e një prej filmave më të vlerësuar në historinë e kinematografisë botërore, duke u bërë një pjesë e pandashme e këtij prodhimi gjigant. Në nderim të filmit, sot në fshatin Palazzo Adriano organizohet edhe festivali i filmit “Paradiso Film Festival”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



