Kombetarja

Fillojnë ‘dhimbjet e kokës’ për Rejan, dy mungesa në mbrojtje

Që prej tre ditësh një listë paraprake e kombëtares është grumbulluar nga trajneri Edi Reja në qytetin e Durrësit. Disa fytyra të reja që veshin fanellën për herë të parë dhe shumë talente nga ekipi U-21, kanë qenë risitë e para të trajnerit 73-vjeçar. Por ende pa u bërë grupi i plotë, për Rejan kanë filluar “dhimbjet e para të kokës”.

Mësohet se për dy ndeshjet e rëndësishme eliminatore me Islandën dhe Moldavinë, Edi Reja nuk do të ketë në dispozicion dy mbrojtësit, Arlind Ajeti dhe Mërgim Mavraj. Ajeti bëhet me dije se ka pasur disa lëndime të lehta gjatë fundjavës në ndeshjet e fundit dhe nuk e ka gjendjen e duhur për të qenë gati për këto dy përballje eliminatore.  Ende nuk ka konfirmime zyrtare për gjendjen e tij fizike dhe në tre ditët në vijim do të mësohet nëse do të thirret për këto dy ndeshje. Ndërsa për Mërgim Mavaraj pritet të ketë një ftesë në kombëtare, por mbrojtësi nuk do të luaj në ndeshjen me Islandën, për shkak të kartonit të kuq që mori me Skocinë në nëntorin e shkuar.

I gjendur në këto kushte, Edi Reja do duhet të mendojë për alternativa që do të mbulojnë repartin e mbrojtjes për dy ndeshjet e qershorit. Shqipëria në ndeshjen e parë do të udhëtojë drejt Islandës me 8 qershor dhe më pas tre ditë më vonë do të pres Moldavinë në “Elbasan Arena”. Për të dyja ndeshjet objektivi i ekipit kombëtar shqiptar mbetet fitorja, pasi çdo rezultat tjetër do na shkëpuste shumë me Turqinë, që në dy ndeshjet e para ka marrë 6 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë