Shendet

Fillimi i pranverës nxit astmën, shtohen individët me këtë problem

Fillimi i pranverës nxit rinitin alergjik (polinozën), por dhe shfaqje të simptomave të astmës bronkiale Shtohen individët me alergji respiratore çdo vit

Gjatë fillimit të pranverës personat alergjikë dhe ata me astma kanë një rëndesë të gjëndjes së tyre.Tek këta persona simptomat mund të shfaqen çdo ditë, por ato që janë më tepër shqetësuese janë episode të vështirësisë në frymëmarrje që  mund te jenë  çdo natë apo disa here në javë, ndërsa tek disa të tjerë mund të përkeqësohen gjatë aktivitetit fizik.

Si paraqitet situata e asmatikëve në vendin tonë, a janë shtuar personat që vuajnë nga ky problem?

Mjekja alergologe-imunologe Alketa Bakiri në Spitalin Amerikan 3, i shpjegoi Gazetasi.al se është konstatuar një prevalencë në rritje e personave asmatikë dhe kjo ndryshon në vende të ndryshme nga 1-18%.
"Vendi ynë nuk mund të përjashtohet nga ky trend i përgjithshëm i rritjes së numrit të pacientëve me manifestime klinike të astmës bronkiale dhe aq më tepër kur ndotja e industrializimi kanë trend në rritje dhe niveli i stresit po ashtu. Në fakt, prevalenca në vendin tonë është në rritje, siç raportojnë studimet e kryera dhe në ndryshim: prej vitit 1995 nga 2.6 % (në grupmoshat 13-14 vjeç) ajo ka shkuar në 3.4 % në vitin 2000 dhe paraqet një trend në rritje nga viti në vit. ", shpjegon Bakiri.

Mjekja alergologe-imunologe Alketa Bakiri


Por mjekja tregon se nga ana tjetër, terapitë e reja krahas trajtimit farmakologjik e simptomatik janë shpresëdhënëse dhe armë të fuqishme në duart e mjekëve në ditët e sotme. Sipas Bakirit tepër efikase janë imunoterapia dhe terapia me faktorë biologjikë, për të cilat mjekja shpjegon se duhen vlerësuar në mënyrë rigoroze dhe të personalizuar për secilin pacient për të patur më pas rezultate të kënaqshme gjatë trajtimit.
"Pacientët dita–ditës janë gjithnjë e më shumë bashkëpunues, kur i shpjegon se çfarë duhet të presin nga mjekimet apo si duhet të veprojnë në situatat e caktuara, edhe pse problematika është përherë e pranishme dhe kërkon një vlerësim në dinamikë të secilit prej tyre",shton mjekja.  Megjithatë, mjekja shton se nevojiten studime të tjera për vlerësimin e incidencës e prevalencës së astmës bronkiale, të shtrira në kohë dhe me grupe kontrolli për të patur një tablo sa më të qartë dhe të saktë në lidhje me situatën aktuale dhe pacientët asmatikë.

Ndërkaq mjekja shpjegon se Dita Botërore e Astmës këtë vit ishte në 5 Maj dhe mbahet çdo vit në fillim të muajit maj me iniciativën e GINA (Global Initiative for Asthma), një organizatë shëndetësore ndërkombëtare e themeluar në vitin 1993.  Mjekja i tha Gazetasi.al se kjo ditë është specifikuar si e tillë, për të theksuar rëndësinë apo barrën që përbën ajo për pacientët e prekur.
"Tema këtë vit për Ditën Botërore të Astmës ishte: 'Zbulimi i koncepteve të gabuara në lidhje me Astmën Bronkiale', të cilat përmbledhin:
Astma është një sëmundje e fëmijërisë; astma është infeksioze;  të prekurit me astma nuk duhet të merren me sporte apo me veprimtari që kërkojnë efort fizik dhe se astma kontrollohet vetëm me doza të larta kortikosteroidësh. Ndërkaq konceptet e sakta në lidhje me të, apo të vërtetat janë:
-Astma mund të shfaqet në çdo moshë.
-Astma nuk është infeksioze, megjithatë infeksionet virale ndikojnë në acarimet apo ataket e astmës.
-Kur astma është e mirë-kontrolluar, pacientët astmatikë mund të merren me sporte dhe të kryejnë aktivitet fizik pa problem.
-Astma është më mirë e kontrolluar me doza të vogla kortikosteroidësh inhalatorë," shpjegon mjekja.

Konkretisht astma përkufizohet si një reduktim i fluksit bronkial të ajrit me manifestime klinike si fishkëllima në gjoks, vështirësi në frymëmarrje, shtrëngime në gjoks dhe kollë.

Cilët janë faktorët favorizues të zhvillimit të astmës bronkiale?

Bakiri i tregon Gazetasi.al se faktorët që ndikojnë në zhvillimin e astmës probabilisht janë një përzierje e kontributit të faktorëve gjenetikë dhe të atyre ambientalë.
"Alergenët, duke filluar nga ato si pluhura shtëpie (akariene), apo kafshë shtëpiake janë ndër faktorët më të zakontë, por sigurisht që këtu përfshihen dhe alergenë të tjerë si polene, mykra, ashtu siç ka dhe pacientë që janë me astmë bronkiale dhe që nuk ju është përcaktuar një shkak i mundshëm. Zakonisht, astma që shfaqet në moshë të re ka alergen të përcaktuar si shkaktar nxitës të saj, ndërsa ato që shfaqen në mosha më të mëdha mund të mos kenë alergenë specifikë të përcaktuar si nxitës të astmës", shton mjekja.

Por sipas Bakirit ka dhe një sërë faktorësh të tjerë që ndikojnë në acarimet e astmës si eforti, duhanpirja, ndryshimet e temperaturës së ajrit, e qeshura apo erërat apo aromat e forta, duke shtuar këtu edhe infeksionet e mbivendosura dhe lëndë të caktuara kimike mund të acarojnë astmën.

"Prania e tyre dhe faktorëve të tjerë që mund të rendisim nuk do të thotë që ne duhet të heqim dorë nga aktivitetet sociale apo sportet pas të cilave jemi të pasionuar, por të bashkëpunojmë, të kërkojmë ndihmë, të ndjekim porositë dhe marrim mjekimet që hap pas hapi, të kemi nevojë për më pak mjekime dhe duke marrë mjekimet e duhura në mënyrë korrekte të përmirësohet jeta e pacientëve, e familjeve dhe e mjediseve ku ata punojnë, që në fund të fundit përbën dhe qëllimin tonë të përbashkët," përfundon mjekja alergologe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë