Gazeta Si – Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet Komisionit të Disiplinës dhe Etikës, ka marrë sot një vendim drastik: përjashtim për 5 sezone të 3 skuadrave të Kategorisë së Dytë, Bulqizës, Gramshit dhe Internacionalit të Tiranës. Të tria këto skuadra kanë fiksuar rezultatin e ndeshjeve të fundit në kampionat, duke shkelur rregullat e ‘fair play’-it të garës.
Po ashtu, është dënuar me 2 vite përjashtim zyrtari i ndeshjes Bulqiza-Veleçiku, Memet Koçi, pasi nuk raportoi shkeljet e bëra në këtë ndeshje.
Hetimi kishte nisur më 27 prill 2022, pas dyshimeve për paracaktimin e rezultatit të ndeshjeve Bulqiza-Veleçiku, Oriku-Gramshi dhe Internacional Tirana-Luzi 2008. Pasi shqyrtoi materialin, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës konstatoi se ka pasur elementë të paracaktimit të rezultateve sportive.
“FSHF i qëndron vullnetit të saj për tolerancë zero ndaj fenomenit të paracaktimit të rezultateve të ndeshjeve. Rezultatet sportive në të gjitha garat kombëtare do të duhet të jenë produkt i paraqitjes në fushë, i faktorëve sportivë dhe në mënyrë kategorike nuk do të duhet të ndodhë dhe nuk do të lejohet ndikimi i faktorëve të jashtëm mbi një ndeshje futbolli. FSHF i bën me dije opinionit publik dhe tifozëze se vazhdon monitorimi për ndërlidhje të mundshme të këtyre rezultateve me individë apo klube të tjera”, – shkruhet në vendimin zyrtar të FSHF-së.
Përveç përjashtimit nga aktivitetet, tri skuadrat e dënuara duhet të paguajnë edhe një gjobë prej dy milionë lekësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




