Ku do të luajë Herri Kejn sezonin e ardhshëm? Sulmuesi anglez është një nga më të mirët në botë dhe kushdo që e kërkon, duhet të paguajë te Totenhemi. Në gjurmët e 27-vjeçarit janë vënë disa nga klubet më të mëdha europiane, me Mançester Junajtid në krye, ndaj dhe lamtumira nga “gjelat” duket e sigurt.
Presidenti i Totenhemit, Daniel Levi, sipas “Daily Mail”, ka fiksuar tashmë edhe çmimin për sulmuesin anglez, 150 milionë stërlina, rreth 173 milionë euro. Një shifër e frikshme, që do ta bënte Kejnin lojtarin e tretë më të paguar në botë, pas Nejmarit me 222 milionë euro dhe Mbape me 180 milionë euro.
Cili klub mund t’ia lejojë vetes një shpenzim të tillë? Në këtë kohë pandemie është shumë e vështirë të flitet për të tilla shifra, por në Angli mund të bëhet ndonjë çmenduri për ta bërë kapitenin e Totenhemit “djall të kuq”. Në të kundërt, presidenti Levi duhet të ulë çmimin, nëse dëshiron që të arkëtojë nga shitja e Kejnit. Për sulmuesin shtatlartë ka pasur interesim edhe nga Reali i Madridit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.