Një stadium mjaft modern, simbol i rilindjes së një kombi. “Uembli i Ballkanit”, siç e quajtur shtypi anglez, ka qenë dëshira e madhe e Armand Dukës, presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Është projektuar nga një italian, Marko Kazamonti. “Forbes Italia” ka intervistuar presidentin e FSHF-së, Duka, në lidhje me këtë investim dhe projektet sportive me trajnerin Edi Reja.
Si lindi ideja për të ndërtuar një stadium të ri në Shqipëri?
Në 2012-ën qeveria shqiptare vendosi t’ia kalonte stadiumi në pronësi FSHF-së. Pas një studimi që bëmë për modelin dhe planin industrial, organizuam një konkurs për të gjetur një partner, por pa sukses. Në 2015-ën bëmë një tjetër konkurs, ku morën pjesë kompani të ndryshme europiane dhe dy shqiptare. Vendosëm të bashkëpunonim me “Albstar”-in, lider në ndërtim në vendin tonë. Më 21 prill 2016 firmosëm akordin mes palëve dhe nisëm punën menjëherë. Koha nga nisja e punimeve e deri në inaugurimi në ndeshjen me Francën, ishte vërtet rekord.
Si u strukturua ky investim?
Ne si FSHF kemi investuar 10 milionë euro te kjo vepër, në shifër e paimagjinueshme për një federatë modeste. Ky plan nuk mund të realizohej pa përfshirjen dhe kontributin e sektorit privat. Pjesa tjetër e investimit është mbuluar nga kompania ndërtuese, që do të shfrytëzojë të gjitha hapësirat komerciale dhe një hotel 30-katësh që ndodhet në anën veri-perëndimore të stadiumit. FSHF-ja ka në zotërim gjithë pjesën sportive të stadiumit, një impiant me standarded më të larta botërore. Është kartëvizita më e mirë e Shqipërisë.
I keni besuar një arkitekti italian, Marko Kazamontit. Çfarë raporti ka mes Italisë dhe FSHF-së?
Dua të them se Kazamonti nuk është një koincidencë. Është studiuar me detaje, sepse stadiumi ynë kombëtar është i lidhur me historinë, por ka një lidhje edhe me Italinë dhe arktitektët italianë. Stadiumi i vjetër filloi të ndërtohej në vitin 1939, me projektin e një arkitekti italian, Gerardo Bozio, dhe përfundoi në vitin 1946. Stadiumi i ri u projektuar nga një tjetër italian, Marko Kazamonti, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme, duke unifikuar modernen me klasiken. Kemi ruajtur pjesën e monumentit në hyrje të stadiumit, që është një kryevepër arkitekturore e Bozios. Puna e Kazamontit flet vetë. Në pak javë stadiumi është shndërruar në një atraksion turistik.
Rezultati më i mirë i Shqipërisë, kualifikimi në Euro 2016, është arritur me një staf italian…
Po, është arritja më e madhe sportive në historinë e futbollit shqiptar. Një sukses i lidhur me një italian, trajnerin Xhani De Biazi, i cili ka bërë një punë të shkëlqyer. Sot kemi një trajner me shumë eksperiencë si Edoardo Reja, me më shumë se 1000 ndeshje në karrierë. Kemi një projekt të ri me të, të rinovojmë grupin me 5-6 lojtarë që kanë debutuar në eliminatoret e fundit.
Pse besoni kaq shumë tek italianët? Çfarë kanë ata më shumë se të tjerët në futboll?
Për mua, shkolla italiane e futbollit është më e mira. Trajnerët janë mjaft të mirë për disiplinën taktike që i japin skuadrës dhe për vëmendjen që i kushtojnë çdo detaji që sjell suksesin, si dhe për frymën që krijojnë në grup. Gjatë përvojës sime në FSHF kam pasur edhe trajnerë kroatë e gjermanë, por nëse bëj krahasimin, zgjedh gjithmonë italianët. Janë zgjedhja e duhur për suksesin.
Ju jeni edhe një biznesmen. Çfarë aktivitetesh keni, përveç FSHF-së?
Deri pak kohë më parë quanin biznesmen dhe pastaj president, ndërsa tani më quajnë president dhe pastaj biznesmen. Pra, puna ime me futbollin e ka kaluar në plan të dytë impenjimin tim me disa biznese. Jam diplomuar në ekonomi, në vitin 1993. Bashkë me vëllanë tim, kemi themeluar kompaninë Aiba, tani kemi edhe GoTech Electronics dhe EcoMarket. Kemi aksione edhe në sektorin e medias, si dhe kemi një kompani pijesh, verë dhe raki, më shumë për qejf se biznes.
Jeni president i FSHF-së që në vitin 2002. Sa ka ndryshuar kjo federatë që atëherë?
Në atë kohë FSHF-ja ishte shumë e vogël, një administrim modest. Kishim vetëm një sponsor me 10 mijë euro në vit, nuk kishim financuar asnjëherë një projekt, nuk kishim zyra, kishim një kampionat me 16 skuadra dhe gjithmonë ishim të fundit ose të parafundit në nivel ndërkombëtar. Sot ka ndryshuar gjithçka, suport teknologjik, kemi krijuar departamentin e inovacionit, kemi një buxhet të konsoliduar. Falë një projekti administrimi financiar dhe me ndihmën e FIFA-s, kemi ndërtuar një kompleks stërvitor në periferi të Tiranës. Kombëtarja jonë sot ka një vlerë tjetër.
Po tani, cilat janë objektivat tuaj?
Objektivi ynë është që të ndërtojmë bashkë me qeverinë shqiptare 100 fusha në gjithë vendin, duke parë që ka shumë fëmijë që luajnë futboll dhe fushat janë pak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.