Futboll

Fiksimi me trajnerët italianë, Longo për Teutën dhe Kolela drejt Erzenit

Gazeta Si – Shkolla italiane e trajnerëve është një nga më të mirat në botë, nuk ka diskutim, por në Shqipëri, ata që kanë ardhur nga përtej Adriatikut nuk është se kanë lënë ndonjë shenjë të madhe. Më së shtumti kanë dështuar dhe janë shkarkuar, madje edhe Xhovani Kolela, kampion me Partizanin sezonin e fundit, u largua disa ditë më parë.

Trajnerin në fjalë tani e kërkon Erzeni, ekipi që mbijetoi në Superiore me ndihmën e ndeshjes shtesë. Kolela në fakt mund të ketë meritat e veta, por te Partizani gjykuan se ai nuk ishte faktor aq i rëndësishëm për titullin e fituar sa që duhej të qëndronte.

Xhovani Kolela, ish-trajneri i Partzanit. Gazeta Si, 16 qershor 2023

Para Partizanit Kolela ka drejtuar Apoloninë në Kategorinë e Parë, ku dora e tij nuk u duk. Tani kërkon aventurën e tretë shqiptare tek Erzeni.

Aventurën e tretë në kampionatin shqiptar ka nisur ndërkohë italiani tjetër, Diego Longo, ish-trajner i Kukësit në Superiore dhe Flamurtarit në Kategorinë e Parë. Në asnjë rast nuk mundi t’i çojë skuadrat që ka drejtuar aty ku ato synonin, megjithatë ai mbetet sërish i kërkuar nga klubet tona. Teuta e ka zyrtarizuar në krye të stolit për sezonin e ri.

Trajnerët italianë mbeten një fiksim në Shqipëri, edhe pse deri tani eksperienca ka treguar se ata nuk bëjnë asgjë më shumë se ata shqiptarë. Përkundrazi, në disa raste i komplikojnë më shumë gjërat, ndërkohë që kostot janë të larta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë