Kosova

Kurti shpall fitoren: Do formojmë qeverinë e re

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve në Kosovë, në një konferencë të jashtëzakonshme, ka bërë të ditur se për shkak të probleme teknike të aplikacionit, KQZ ka vendosur që numërimi të bëhet manualisht.  

“Pas shumë përgatitjeve dhe testimeve që kemi bërë gjithçka ishte gati për rezultatet parlamentare, por për shkak se aplikacioni për përpunimin dhe prezantimin e këtyre të dhënave nuk ka funksionuar, ne nuk po arrijmë t’i prezantojmë këto të dhëna përmes platformës elektronike.

Për këtë arsye, KQZ u kërkon ndjesë të gjithë qytetarëve. Në këto rrethana, KQZ ka shqyrtuar situatën dhe ka vendosur që të mbledhë të dhënat në mënyrë manuale nga të gjitha vendvotimet përmes formularëve të subjekteve politike, të cilat janë plotësuar.

Sigurojmë qytetarët që mostransmetimi i rezultateve përmes platformës elektronike nuk ka asnjë ndikim në rezultatet që janë pjesë e këtyre formularëve, në mënyrë manuale do t’i publikojmë”, njoftoi kryetari i KQZ-së në Kosovë.

Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shpallur fitoren në zgjedhjet parlamentare të Kosovës.

Në një deklaratë për mediat, Kurti deklaroi se Vetëvendosja do të formojë koalicionin qeverisës me partinë Guxo dhe partinë Alternativa.

“Më lejoni që të falënderoj të gjithë qytetarët e republikës tonë për pjesëmarrjen në këto zgjedhje të para të rregullta parlamentare që kur se e kemi pasur pavarësinë. Nuk ka pasur incidente. Zgjedhjet ishin të lira, demokratike dhe të ndershme, falënderoj të gjithë votuesit e koalicionit fitues me partinë Guxo dhe Alternativën. Ne jemi subjekti i parë fitues i cili do ta formojë qeverinë.

Ata që dolën të dytët dhe të tretët, edhe po të mblidhen bashkë nuk i bëjnë dot sa ne. Vetëvendosja fitoi, të ecim përpara bashkë drejt qeverisë së re”, tha Kurti.

Referuar të dhënave të fundit nga KQZ, deri në orën 21:30 në Kosovë janë numëruar mbi 50 për qind të kutive të votimit, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

KQZ ka publikuar rezultatet e numërimit të votave, ku janë numëruar 1289 nga 2,533 duke nxjerrë LVV parti të parë, PDK e dyta dhe më pas LDK

Nga kjo përqindje e numëruar, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 37.5 për qind të votave.

Partia Demokratike e Kosovës pason në 29.8 për qind, Lidhja Demokratike e treta me 16.29 për qind të votave ndërsa Koalicioni AAK-Nisma ka 7.92 për qind.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë